Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka reaguar pas deklaratës së ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ajo tha se heshtja e ndërkombëtarëve për fyerjet e Daçiqit dhe Vulinit ndaj shqiptarëve është shurdhuese.
Në një përgjigje në rrjetin social Twitter, Gjuriq ka thënë se për herë të parë pajtohet me Vlora Çitakun, por heshtja e bashkësisë ndërkombëtare është shurdhuese për serbët, shkruan Reporteri.net.
“Për herë të parë pajtohemi, heshtja e bashkësisë ndërkombëtare është vërtetë shurdhuese – 20 vjet pa drejtësi për mijëra serbë të vrarë dhe të pastruar etnikisht nga Kosova, qindra kisha të krishtera të djegura dhe rini e vjedhur.”, ka shkruar Gjuriq në Twitter.
Po ashtu ai ka deklaruar se ofrojnë mbështetjen e plotë për Dhomat e Specializuara Ndërkombëtare për gjoja krimet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vlora Çitaku, përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Twitter, e ka komentuar letrën e ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, drejtuar ambasadorëve të Kuintit, lidhur me kërcënimet e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq dhe komunikatës të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vulin, ku iu referohet shqiptarëve si “shiptarima”.