Armenia dhe Azerbajxhani pajtohen për armëpushim

Advertisement

Armenia dhe Azerbajxhani kanë arritur marrëveshje për armëpushim, duke filluar nga e shtuna me qëllim që të shkëmbehen të burgosurit dhe trupat e të vrarëve gjatë konfliktit që filloi më 27 shtator. Lajmin e bëri të ditur kryediplomati rus, Sergei Lavrov.

Thuhet se bisedimet mes dy palëve u zhvilluan në Moskë dhe ishin kontakti i parë diplomatik mes Armenisë dhe Azerbajxhanit që nga fillimi i konfliktit muajin e kaluar, ku mbetën të vrarë qindra njerëz. Armëpushimi do të hyjë në fuqi në orën 12 sipas kohës lokale, shkruan The Guardian.

Ministri i Jashtëm rus, i cili ndërmjetësoi në këto bisedime, tha se armëpushimi u arrit pas dhjetë orë negociatash me homologët e tij nga Azerbajxhani dhe Armenia. Ai gjithashtu njoftoi se të dyja vendet u pajtuan që t’i fillojnë bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate për konfliktin që në të vërtetë ka nisur nga vitet e nëntëdhjeta.

Advertisement

Ministri i Jashtëm i Armenisë, Zohrab Mnatsakanyan, dhe homologu i tij nga Azerbajxhani, Jeyhun Bayramov, nuk folën para gazetarëve.

Armenia dhe Azerbajxhani kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik deri në shpërbërjen e tij më 1991.

Për katër dekada, këto dy shtete të vogla janë në konflikt të pazgjidhur për rajonin Nagorno-Karabak, i cili nga komuniteti ndërkombëtar njihet si territor i Azerbajxhanit, por që kontrollohet nga armenët.

Para këtij viti, tensionet ishin rritur edhe në vitin 2016, kur forcat e të dyja vendeve ishin përleshur për katër ditë me radhë.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është përpjekur për një kohë të gjatë që të gjejë një zgjidhje për këtë mosmarrëveshje duke e formuar Grupin e Minskut, të përbërë nga diplomatët francezë, rusë dhe amerikanë, me qëllim të arritjes së një armëpushimi të qëndrueshëm.

Advertisement

TË FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here