Partia Demokratike e Kosovës sot shënon njezëtëenjë vjetorin e themelimit të saj, shkruan Gazeta Inzoom.
Kryetari i PDK-së, nëpërmjet një postimi në facebook, ka uruar anëtarët dhe themeluesit e saj, duke shtuar se PDK është garanci për konsolidim të pavarësisë, , të zhvillimit të ekonomisë e demokracisë si dhe të orientimit Euro-Atlantik të Kosovës.
“Në këtë përvjetor të 21-të të themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë që të uroj përzemërsisht të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj kudo ku ndodhen. Në këtë ditë të shënuar, urime të veçanta i dërgoj themeluesve të partisë, të cilët hodhën hapat e parë të kësaj organizate politike në kushte shumë të vështira. Po ashtu përulem me mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar në sukseset e partisë sonë, por që sot nuk janë më mes nesh. Padyshim nderimet më të mëdha i takojnë qytetarëve të Kosovës, që i kanë besuar partisë sonë dhe që vazhdojnë ta shikojnë atë si garanci të konsolidimit të pavarësisë, të zhvillimit të ekonomisë e demokracisë si dhe të orientimit Euro-Atlantik të Kosovës.”
Ai ka theksuar se PDK ka qenë protagoniste në rindërtimin e pasluftës dhe shpalljen e pavarësisë së vendit, ndërsa ka shtuar se PDK do të vazhdojë reformat për t`u rikthyer si partia e parë.
“Partia Demokratike e Kosovës i ka prirë proceseve më të rëndësishme të vendit dhe ka luajtur një rol protagonist në rindërtimin e pasluftës, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin nga e para të institucioneve shtetërore. Ajo vazhdon të kontribuojë për vendin si parti opozitare shembullore konstruktive që ngre lartë zërin për interesat e qytetarëve dhe vë para përgjegjësisë e kërkon llogari nga qeveria, në mënyrë që ajo të përmbushë siç duhet detyrat e saj. Ndërkaq partia jonë vazhdon reformat e saja të brendshme që se shpejti do ta rikthejnë fitimtare në garat e ardhshme zgjedhore.
Në pamundësi për të festuar bashkë për shkak të pandemisë, ju uroj të gjithëve në distancë : Gëzuar ditëlindjen e Partisë Demokratike të Kosovës!”, ka përfunduar Veseli.
Ndryshe, PDK në zgjedhjet e fundit është renditur partia e tretë, pas LVV-së dhe LDK-së./Gazeta Inzoom