Megjithëse ka operuar me humbje për 5 vite radhazi, Telekomi i Kosovës kontraktoi kompani që brenda një viti realizoi fitime gati 3 milion euro

Advertisement

Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2019 ka gjetur një mori shkeljesh në kompaninë e Telekomit të Kosovës, shkruan Gazeta Inzoom.

Sipas këtij raporti, Telekomi ka vazhduar trendin e operimit me humbje për 5 vite radhazi, përkatësisht në vitin 2015 humbja totale ishte 7,904,000€, në vitin 2016 50,931,000€, në vitin 2017 13,904,000€, në vitin 2018 15,575,000€ dhe në vitin 2019 humbja ishte 26,916,000€. Kapitali aksionar i emetuar si dhe komponentët tjera të kapitalit në vlerën 59,475,000€ ka rënë në minus (2,223,000€). Për më tepër, ende nuk është paguar dividenta e deklaruar në vitin 2015 në vlerë prej 15,000,000€.

Mirëpo kjo nuk e kishte ndaluar menaxhmentin e Telekomit që të lidhin një kontratë më një Operator Ekonomik për shitjen e produkteve të tyre, kompani e cila vetëm brenda vitit 2019 kishte realizuar fitime prej 2,971,126 € (pa TVSH).

Sipas Raportit të Auditorit, Telekomi i Kosovës nuk kishte respektuar procedurat e prokurimit për lidhjen dhe vazhdimin e kësaj kontrate, duke rritur rrezikun e shkeljes së parimeve bazë të Ligjit për Prokurim Publik, siç janë transparenca, ekonomiciteti, efikasiteti dhe trajtimi jo diskriminues.

Advertisement

“Kompania ka lidhur kontratë për shitjen e produkteve të tyre me një OE me dt. 16.03.2015.

Në kontratën bazë nenin 7 është përcaktuar kohëzgjatja e kontratës, përkatësisht 4 vite dhe thuhet që do të vazhdohet kontrata edhe për 4 vite tjera nëse nuk ka një njoftim me shkrim nga palët 30 ditë më herët.

Kjo kontratë nuk ishte trajtuar si “kontratë për shërbime” dhe si e tillë procedurat për lidhjen e kësaj kontrate nuk janë nënshtruar rregullave të LPP. Përveç kësaj, ende pa përfunduar validiteti i kontratës bazë, përmes anekseve të kontratës është bërë zgjatja e validitetit të kontratës, përkatësisht në vitin 2016.

Rrjedhimisht vazhdimi i validitetit të kontratës është bërë jashtë rregullave të LPP-së.

Përveç afatit të kontratës, përmes anekseve të kontratës bazë ishin ndryshuar disa herë kushtet e kontratës, përkatësisht ndryshimi i normave të provizionit që përfiton OE si dhe i është dhënë e drejta ekskluzive OE duke u zotuar që Telekomi nuk do të futet në marrëdhënie kontraktuale me OE të tjerë përgjatë kohëzgjatjes së kontratës, për aktivitete të ngjashme. Gjatë vitit 2019 OE ka realizuar shitje (përkatësisht blerje nga Telekomi) në vlerë prej 18,739,171 € (pa TVSH) dhe ka përfituar komision në vlerë prej 2,971,126 € (pa TVSH)

Anashkalimi i procedurave të prokurimin në lidhjen e kësaj kontrate, ndërrimi i termave të kontratës, vazhdimi i afatit të kontratës disa herë, të gjitha këto në mungesë të një analize të përshtatshmërisë ekonomike rritë rrezikun e shkeljes së parimeve bazë të LPP-së, siç janë transparenca, ekonomiciteti, efikasiteti dhe trajtimi jo diskriminues”, thuhet në këtë raporti.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur edhe një mori shkeljesh në këtë kompani, si ndërrimi i kushteve të kontratës me anekse në krahasim me kontratën bazë, duke i shkaktuar kompanisë humbje edhe më të mëdha, ndërsa operatorëve ekonomik duke ua shtuar fitimin./Gazeta Inzoom

Advertisement

TË FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here