Tenderët e shtrenjtë në kohë pandemie në Podujevë, opozita: Një palë dorëza u blenë 14 euro dhe një uniformë 28 euro

Advertisement

Akuza të shumta janë hedhur në drejtim të komunarëve në seancën e fundit të Kuvendit të Podujevës, në pikën kur po diskutohej raporti financiar janar-shtator, shkruan Llapi.info.

Këtë raport e ka mbështetur partia që udhëheq me Komunën, LDK, ndërkohë që është kundërshtuar ashpër nga partitë e mëdha opozitare në Podujevë.

Këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Fetahu ka thënë se një autoambulancë nga Komuna e Podujevës është blerë me shumë prej 60 mijë euro. E njëjta, sipas tij, është blerë gati 30 mijë euro më lirë nga Komuna e Mamushës.

“Raportet financiare të sjellura me këtë përmbajtje aktuale në Kuvend, nuk i përmbushin as kriteret ligjore të një organizate buxhetore, siç është komuna. Ky raport përmban vetëm shuma totale të shpenzimit për kategori të ndryshme ekonomike dhe në asnjë faqe të tij nuk i përfshinë detajet tjera të nevojshme. Përmendi një rast: Autoambulanca është blerë në vlerë prej 59 mijë e 840 euro, kurse për dallim nga Komuna e Mamushes procedurë të negocimit 21,500 më e lirë me të njëjtën performancë”, ka thënë ai.

Advertisement

Fetahu ka thënë se Komuna e Podujevës nëpërmjet këtij raporti nuk është treguar transparente dhe se, sipas tij, a jo rastësisht në të gjitha raportet e organizatave në Kosovë e rendisin të fundit për nga transparenca dhe llogaridhënia.

“Krejt në fund, të respektuar qytetarë të Komunës së Podujevës dhe ju të nderuar asamblistë jeni në dijeni se menaxheri i prokurimit bënë pazare me tenderë… Në atë video lakohet edhe emri i ish-kryetarit dhe drejtorit të Buxhetit dhe Financave, Isuf Latifi, i zyrtarëve të prokurimit dhe asnjë hap nuk ndërmerr ky shtet i kapur”, ka thënë ai.

Ndërkaq, këshilltari i PDK-së, Rafet Llapashtica tha se në kohë pandemie, sipas tij, komuna ka blerë një palë dorëza 14 euro dhe se janë bërë pesë mijë euro shpenzime telefonike, të cilat, sipas tij, janë dyfishuar në kohë të pandemisë.

 “Në kohë pandemie, një parë dorëza janë blerë 14 euro, kurse një palë rroba të llastikut 28 euro. Këto të dyja bashkë 5 euro i merr ku të duash me pakicë”, ka thënë ai.

“Për mirëmbajtje dhe servisim të automjeteve në vitin 2019 i keni shpenzuar 17,122 euro, ndërsa sivjet 17,467 euro. D.m.th. automjetet janë prishur në të njëjtin vend sikur vjet. Për vendime të gjykatave i keni shpenzuar 80,000 euro, 5 mijë euro shpenzime telefonike, ndërsa në pandemi komuna ka punuar me staf emergjent”, ka thënë Llapashtica.

Kurse, Bashkim Syla i PDK-së, ka paralajmëruar suficit të buxhetit, sikurse edhe në vitet paraprake.

Drejtori për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, i ka treguar shpenzimet që janë bërë deri tash, të ndarë sipas kodeve.

Sipas raportit të prezantuar në periudhën janar-shtator, nga buxheti i Komunës, që sivjet është në vlerë prej 26,756,269 euro, janë shpenzuar 14,839,864 euro. Prej tyre, për paga dhe mëditje janë shpenzuar 9,057,940 euro, për mallra e shërbime 1,096.371 euro, për shpenzime komunale 202,033 euro, subvencione dhe transfere 577,771 euro dhe për shpenzime kapitale 3,905,749 euro.

Advertisement

TË FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here