Komuna e Dragashit edhe këtë vit do veprojë si vitet e mëparshme duke mos e dekoruar qytezën për festat e fundvitit. Ketë e ka konfirmuar edhe kryetari i komunës së Dragashit, Shaban Shabani.
E dimë se të gjitha komunat shpenzojnë për të dekoruar qendrat e qyteteve, madje edhe shuma të mëdha në qytetet si Prishtina e Prizreni, për këtë arsye ne kërkuam përgjigje edhe nga kryetari se si do veprojë komuna jonë.
“Komuna e Dragashit nuk është zbukuruar për fundvit e këtë ecuri e kemi vazhduar edhe ne, nuk e kemi si prioritet zbukurimin e qytezës për këto festa ndoshta edhe pasi nuk na kërkohet nga banoret e komunës ta bëjmë një gjë të tillë, ndonëse komuna e Dragashit zbukurohet për festat kombëtare.
Po ashtu këtë vit jemi në një situatë në të cilën është me e arsyeshme të luftohet pandemia, e ta kemi prioritet shëndetin e qytetarëve.”
Këtë vit edhe Komuna e Skenderajt ka vendosur që të mos bëhet dekorimi i qytetit për festat e fundvitit, ndërsa mjetet e dedikuara për dekorim do të shkojnë për nevoja kundër përhapjes së virusit dhe për t`i dalur në ndihmë familjeve skamnore.