Më 23 prill të vitit 2014, 89 deputetë të Kuvendit të Kosovës votuan pro themelimit të Gjykatës Speciale, me qëllim të trajtimit të pretendimeve të ngritura nga Raportit i Dick Martit, i miratuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2010.
Që nga ajo kohë u përhapën dyshime për personat që do të gjykoheshin dhe për rastet të cilat do të trajtoheshin nga kjo gjykatë, shkruan INZOOM.
Më i zëshmi nga të gjithë ishte ish gazetari i luftës, Milaim Zeka, i cili që nga themelimi i kësaj gjykate kishte përmendur publikisht ish ushtarë të UÇK-së të cilët sipas tij do të gjykohen për pretendimet për krime lufte.
Zeka qysh në vitin 2015 kishte theksuar se katër personat e parë që do të arrestohen nga Gjykata Speciale janë Bislim Zyrapi, Ilaz Derguti, Ajvaz Berisha dhe Blerim Kuçi.
Ky ishte paralajmërimi i parë i gazetarit Zeka rreth Gjykatës Speciale që tashmë është vërtetuar si i pasaktë, por jo i fundit.
Duke u thirrur në burime të besueshme ndërkombëtare e në gjurmim të informatave, Zeka kishte vazhduar me deklarata të tjera rreth arrestimeve të mundshme të Speciales, që kishin tronditur opinionin vendor, por edhe familjet e ish ushtarëve të UÇK-së, për të cilët Zeka pretendonte se do të arrestoheshin, shkruan INZOOM.
Pas publikimit të aktakuzave ndaj ish kreut të shtetit, Hashim Thaçit, dhe ish kreut të PDK-së, Kadri Veselit, Zeka ka deklaruar se gjykata ka intervistuar edhe individë tjerë të rëndësishëm në hierarkinë e UÇK-së, si Adem Grabovci e Xhavit Haliti.
Megjithëse këta dy i kanë mohuar deklaratat e tilla, Zeka ka thënë se ata tashmë janë intervistuar. Po ashtu ai ka deklaruar se akuzuar i radhës është edhe Azem Syla, ish komandant i UÇK-së. Madje sipas tij Gjykata Speciale ka kërkuar nga Azem Syla që të mos e lëshojë Kosovën.
Zeka kishte deklaruar se në fundjavën e kaluar do të kishte arrestime të reja të ish ushtarëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.
Kjo doli të ishte një huqje e madhe e radhës e gazetarit veteran, pasi asnjë arrestim tjetër e asnjë aktakuzë nuk është konfirmuar publikisht nga Gjykata Speciale deri më tani.
Madje Zeka kishte theksuar se arrestime tjera mund të jenë edhe Lahi Brahimaj e Daut Haradinaj.
Për deklaratat e tij ka reaguar edhe deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, i cili në një emision televiziv kishte akuzuar Zekën se informacionet po i merr në Serbi.
Haradinaj përmes një postimi në facebook ditë më parë ka bërë edhe një reagim të paqartë ndaj akuzave të Zekës.
“Ndoshta edhe është e vërtetë ajo çka po thotë Mili, por në Rahovec e pash që rrushi është i shëndosh dhe ky fakt më gëzoi”.
Ndryshe, Milaim Zeka është akuzuar edhe nga gazetari Arben Ahmeti se “po këndon në Serbi”, por duke mos sqaruar tërësisht këto akuza.//Gazeta Inzoom