HomeKomunaKlina dhe Malisheva me tarifa të ndryshme shëndetësore: Pacientët e Klinës paguajnë...

Klina dhe Malisheva me tarifa të ndryshme shëndetësore: Pacientët e Klinës paguajnë katërfish më shumë në QMF-në e Kijevës

Qytetarët e disa fshatrave të Komunës së Klinës, të cilët marrin shërbime shëndetësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë të Malishevës, po përballen me tarifa më të larta sesa banorët e Malishevës. Për një kontroll mjekësor, ata paguajnë pesë euro, ndërsa qytetarët e Malishevës vetëm një euro, shkruan Gazeta InZoom.

Në redaksinë e Gazetës InZoom kanë arritur ankesa nga qytetarë të fshatrave të Klinës, të cilët thonë se, pavarësisht se shërbimet shëndetësore i marrin në të njëjtin institucion, pagesat dallojnë varësisht nga komuna së cilës i përkasin.

Një qytetar nga Stapanica, i cili ka kërkuar të identifikohet me inicialet I.P., ka thënë për InZoom se kjo situatë i detyron banorët e këtij fshati të paguajnë më shumë vetëm për shkak se në aspektin administrativ i takojnë Komunës së Klinës.

“Unë jam nga fshati Stapanicë. Me territor jemi në Komunë të Malishevës, ndërsa me dokumente jemi qytetarë të Komunës së Klinës. Veç pse jemi qytetarë të Klinës, detyrohemi me pagu 5 euro për një kontrollë te mjeku në Kijevë”, ka deklaruar ai.

Edhe L.A., banor i fshatit Caravik, e ka kundërshtuar këtë dallim në tarifa, duke e konsideruar të padrejtë trajtimin e qytetarëve të Klinës që marrin shërbime në Kijevë.

Sipas tij, banorët e këtyre fshatrave janë të orientuar drejt Kijevës edhe për shërbime të tjera dhe aktivitetet e tyre ekonomike, për shkak të afërsisë gjeografike.

“Ne të gjitha shërbimet i kryejmë në Kijevë. Përveç dokumenteve administrative, tregtinë e bëjmë në Kijevë, sepse e kemi dy kilometra, e me na diskriminu kështu me pagesa më të larta nuk është e drejtë”, ka thënë ai për InZoom.

Kjo çështje është ngritur edhe në institucionet komunale të Klinës. Asamblistja Leonora Jaha Dakaj, në një mbledhje të Komitetit për Komunitete, ka kërkuar nga drejtori i Shëndetësisë që të gjendet një zgjidhje për unifikimin e tarifave, në mënyrë që qytetarët e të dy komunave të paguajnë njësoj për shërbimet shëndetësore.

Qytetarët e Malishevës në Klinë paguajnë një euro, ata të Klinës në Malishevë pesë euro

Drejtori i QKMF-së “Nënë Tereza” në Klinë, Gazmend Bojaj, ka thënë për Gazetën InZoom se edhe në institucionet shëndetësore të Klinës marrin shërbime qytetarë nga Komuna e Malishevës.

Ai ka bërë të ditur se ndërmjet drejtorive të Shëndetësisë të dy komunave ka ekzistuar një marrëveshje që pagesat për shërbimet shëndetësore të jenë të njëjta, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për arritjen e një marrëveshjeje të re.

“Ne ende jemi duke e zbatuar marrëveshjen, ndërsa kemi pranuar ankesa se pagesat në QMF të Malishevës janë më të larta. Ne kemi marrëveshje që pagesat të jenë të njëjta edhe me Komunën e Istogut dhe Skenderajt”, ka deklaruar Bojaj.

Ai ka theksuar se QKMF-ja në Klinë është e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje të re me Komunën e Malishevës për unifikimin e tarifave, duke e vlerësuar këtë si zgjidhje në interes të qytetarëve të të dy komunave.

Në anën tjetër, Komuna e Malishevës ka një qëndrim tjetër lidhur me këtë çështje. Në një përgjigje për Gazetën InZoom, kjo komunë ka thënë se QKMF-ja në Malishevë dhe të gjitha njësitë e saj përcjellëse, përfshirë QMF-në në Kijevë, zbatojnë Udhëzimin Administrativ nr. 03/2024 për bashkëpagesat në shërbimet shëndetësore.

Sipas Komunës së Malishevës, ky udhëzim zbatohet në të gjitha komunat e Kosovës dhe nuk ekziston ndonjë marrëveshje me komuna të tjera për ndryshimin e tarifave.

“QKMF në Malishevë, bashkë me QMF përcjellëse, përfshirë edhe QMF në Kijevë, zbatojmë Udhëzimin Administrativ 03/2024 (Udhëzimi Administrativ nr. 03/2024 – Bashkëpagesat për Shërbimet Shëndetësore). Ky udhëzim zbatohet në të gjitha komunat e Kosovës. Ne nuk kemi asnjë marrëveshje me asnjë komunë tjetër për të rirregulluar tarifat, pasi kjo është e përcaktuar me UA nga Ministria e linjës. Pra, edhe qytetarët e Malishevës, nëse marrin shërbime në komuna të tjera, paguajnë tarifat e njëjta”, thuhet në përgjigjen e komunës.

Ndërsa dy institucionet komunale paraqesin qëndrime të ndryshme për mënyrën e zbatimit të tarifave, qytetarët e fshatrave kufitare mbeten përballë një dallimi konkret në pagesa për të njëjtin shërbim shëndetësor. Mbetet të shihet nëse Komuna e Malishevës dhe ajo e Klinës do të arrijnë një marrëveshje që do ta zgjidhë këtë çështje, në mënyrë që vendbanimi dhe përkatësia administrative të mos kthehen në barrë shtesë financiare për pacientët që kërkojnë kujdes shëndetësor në institucionet më të afërta./Gazeta InZoom

spot_img

Të fundit