HomeKomunaNdodhë në Klinë, e lajmëroi rastin në polici se po pikë ujë...

Ndodhë në Klinë, e lajmëroi rastin në polici se po pikë ujë nga banesa sipër, përfundon i akuzuar për lajmërim të rremë

Një rast i pazakontë ka përfunduar në procedurë penale në Klinë, pasi një qytetar, i cili kishte raportuar në polici se po i pikonte ujë nga banesa e sipërme në banjon e tij, tashmë po përballet me akuzën për lajmërim apo kallëzim të rremë.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Klinë, ndaj të pandehurit është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Pejë, nën dyshimin për veprën penale “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.

I pandehuri, përmes mbrojtjes së tij, ka kundërshtuar provat dhe ka kërkuar hedhjen e aktakuzës, duke pretenduar se hetimi policor nuk ishte i plotë dhe se nuk ishte konstatuar në mënyrë të detajuar gjendja në banjon e tij.

Në pretendimet e mbrojtjes thuhet se problemi kishte të bënte me ujin që dyshohej se vinte nga banjoja e banesës në katin e sipërm, duke shkaktuar pikim në tavanin e banjos së tij. Sipas tij, uji grumbullohej në pjesën e tavanit dhe ekzistonte rreziku që pllakat të dëmtoheshin e të binin.

Mbrojtja ka pretenduar gjithashtu se policia, gjatë shikimit në vendin e ngjarjes, nuk e kishte fotografuar apo dokumentuar siç duhet tavanin e banjos, ku, sipas të pandehurit, vëreheshin pika uji dhe rrjedhje të vazhdueshme.

“Organi i akuzës pa pasur prova bindëse përkatësisht ne vetëm ne bazë të nje hetimi jo te plote policor e ne vendin e ngjarjes , ndërron statusin e te akuzuarit , nga pala e dëmtuar ne te akuzuar , pe r kallëzim te rreme që nuk është në harmoni me dispozitata e nenit 382 par 1 te KPRK-së , vetëm ne bazë të një fakti se nuk kane vërejtur se në banjon e te akuzuarit ka dëmtime , por duke harruar se ankesa ka qenë për lëshuarjen e ujit të B K , nga banjo e tij ne katin e dytë në banjon e te akuzuarit ne katin e parë . Sikur policia të kishte bere nje proqeverbal nga shiqimi në vend duke përshkruar gjendjen e banjos së të akuzuarit dhe sikur te kishte shiquar larte ne plafon me siguri do të kishte vërejtur pikat e ujit që pikojnë nga plafoni e që vijnë nga banjo e B K, shpërndahet ne hapsirat e plakës se tavanit te banjos , qëndron aty vazhdimisht dhe gjithmonë pllakën e pllatos e mban te ritueshme , e cila nje dite do te bie përfundimisht në tokë dhe atëher dhe atëher është dëmi të cilin e kërkon akuza . Por per te mos ardhur deri aty duhet parandaluar dhe kete e ka bërë i akuzuari duke e lajmëruar rastin ne polici”, ka thënë mbrojtësi i të pandehurit, thuhet në aktvendimin e publikuar nga Gjykata.

Megjithatë, Gjykata Themelore në Pejë, dega në Klinë, më 29 tetor 2026, ka refuzuar si të pabazuara kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të paraqitura nga mbrojtja.

Në arsyetimin e saj, gjykata ka vlerësuar se mbrojtja nuk kishte paraqitur argumente konkrete ligjore për të dëshmuar se provat ishin siguruar në mënyrë të paligjshme apo se ekzistonin kushte për hedhjen e aktakuzës.

Gjykata ka theksuar se provat e paraqitura nga prokuroria, në këtë fazë, përbëjnë bazë të mjaftueshme për vazhdimin e procedurës penale, ndërsa vlerësimi përfundimtar i tyre do të bëhet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

SHËNIM: I pandehuri, në këtë fazë, nuk është shpallur fajtor, dhe deri në marrjen e një vendimi përfundimtar konsiderohet i pafajshëm.

/Gazeta InZoom

spot_img

Të fundit