HomeLajmeBuxhovi: Kosova e izoluar nga aleatët – sovraniteti në Veri është vetëm...

Buxhovi: Kosova e izoluar nga aleatët – sovraniteti në Veri është vetëm policor, jo politik

Historiani Jusuf Buxhovi, në një intervistë për Gazeta Express, ka analizuar zhvillimet politike në Veri të Kosovës dhe ndikimin e tyre në rrugëtimin euro-atlantik të vendit. Ai thekson se, pavarësisht përpjekjeve për shtrirjen e kontrollit shtetëror, situata ka prodhuar më shumë pasoja negative sesa përfitime për Kosovën në aspektin ndërkombëtar.

“Gjimnastika politike që është përdorur gjatë kësaj kohe, përkundër disa ndryshimeve politike në Veri të Kosovës (shtrirja e sovranitetit policor, por jo edhe atij politik), që duhet lidhur më tepër me zhvillime gjeopolitike e më pak me merita politike, Kosovën e ka larguar nga integrimet evropiane dhe aleatët tanë, ndërkohë që e ka izoluar nga ajo amerikane, mbështetësja kryesore e shtetit të Kosovës dhe qenies së saj”, ka deklaruar Buxhovi për Gazeta Express.

Ai shton se sjellja e papërgjegjshme e klasës politike ka kontribuar në këtë izolim, duke humbur mbështetjen e aleatëve dhe duke bërë që Kosova të degradohet në skenën ndërkombëtare. “Sjellja e papërgjegjshme e pjesës më të madhe të klasës politike të Kosovës në raport me shtetin, duke e trajtuar atë si pronë personale për përfitime meskine dhe jo si një të arritur historike, ka ndikuar që nga faktor i rëndësishëm gjeopolitik rajonal, Kosova të kthehet në periferi, deri në atë pikë që aleatët e saj të vendosin sanksione”, ka theksuar ai.

Buxhovi gjithashtu paralajmëron se zhvillimet e fundit gjeopolitike, përfshirë qasjen e re të SHBA-së dhe BE-së, do ta bëjnë edhe më të vështirë pozitën e Kosovës nëse nuk ndryshon kursin politik. “Nëse Kosova nuk gjen një qasje të qartë dhe të vendosur për t’u rreshtuar përkrah SHBA-së, NATO-s dhe faktorëve kyç euro-atlantikë, ajo rrezikon të mbetet peng i politikave të paqarta dhe të kthehet në objekt kusuritjesh, siç ka qenë historikisht”, ka përfunduar ai.

spot_img

Të fundit