Në komunën e Klinës ka nisur fushata e korrje-shirjeve për sezonin 2025. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, këtë vit në territorin e komunës janë mbjellë gjithsej 4,500 hektarë me grurë, ndërsa pritjet për rendimente janë pozitive.
Për të parë nga afër ecurinë e korrje-shirjeve, kryetari i komunës, Zenun Elezaj, i shoqëruar nga drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Lorenc Marleku, kanë vizituar sot fermerët Mehmet dhe Brahim Mehmetaj në fshatin Gllarevë.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit komunalë janë njoftuar me nga afër për ecurinë e punës në terren dhe kanë zhvilluar një bashkëbisedim me fermerët, duke diskutuar për sfidat, nevojat dhe mbështetjen institucionale që ofrohet për sektorin bujqësor.
“Kjo është një periudhë e rëndësishme për bujqësinë tonë. Është lajm i mirë që puna dhe përkushtimi i fermerëve po shpërblehet me rendimente të kënaqshme këtë vit,” është thënë ndër të tjera kryetari Elezaj gjatë kësaj vizite.
Komuna e Klinës ka paralajmëruar se do të vazhdojë me projektet në mbështetje të bujqësisë dhe zhvillimit rural, me qëllim përmirësimin e kushteve të prodhimit dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit.