Situata e krijuar pas vërshimeve në Klinë vazhdon të mbetet e rënduar, duke shkaktuar vështirësi të shumta për qytetarët.
Disa qytetarë kanë deklaruar për InZoom se, në këto rrethana, Komuna e Klinës duhet të marrë vendim për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë shkollor deri të hënën, në mënyrë që të garantohet siguria e nxënësve dhe stafit arsimor.
Sipas tyre, shumë rrugë janë ende të dëmtuara, ndërsa disa zona mbeten të vështira për t’u qarkulluar, çka e bën të pamundur vijimin normal të procesit mësimor.
Komuna e Klinës ende nuk ka dalë me ndonjë njoftim zyrtar lidhur me atë nëse procesi mësimor do të fillojë të enjten, ashtu siç është planifikuar, apo nëse do të shtyhet deri më datë 12 janar. Inzoom merr vesh se nesër pas dite do të merret një vendim lidhur me këtë çështje.
Qytetarët dhe prindërit janë në pritje të një vendimi zyrtar nga institucionet komunale.


