HomeKomunaKomisioni për emërtim të rrugëve në Klinë fillon punën, Beqiri: Do të...

Komisioni për emërtim të rrugëve në Klinë fillon punën, Beqiri: Do të kujdesemi që kërkesat për emrat e dëshmorëve të miratohen

Kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet nga vendimi i fundit i Kuvendit të Komunës së Klinës për emërtimin e rrugëve në këtë qytet. Gjatë kësaj periudhe, numri i rrugëve është rritur, ndërsa në adresë të institucioneve komunale janë parashtruar kërkesa të shumta nga qytetarët për emërtimin e tyre, shkruan Gazeta InZoom.

Gjatë mandatit të kaluar të qeverisjes komunale, me vendim të Kuvendit ishte formuar një komision për emërtimin e rrugëve, propozimet e të cilit ishin miratuar nga asambleja komunale. Megjithatë, ato nuk kishin marrë miratimin përfundimtar nga ministria përgjegjëse.

Ndërkohë, gjatë këtij viti, Kuvendi i Komunës së Klinës ka zgjedhur komisionin e ri për emërtimin dhe riemërtimin e rrugëve. Në krye të tij është zgjedhur Armend Beqiri, asamblist nga radhët e Aleancës, ndërsa në përbërje të komisionit janë edhe përfaqësues të subjekteve të tjera politike, përfaqësues të organizatave joqeveritare lokale dhe historianë.

Në një prononcim për Gazetën InZoom, kryesuesi i komisionit, Armend Beqiri, ka bërë të ditur se komisioni tashmë është funksional dhe ka nisur shqyrtimin e kërkesave të grumbulluara ndër vite, përfshirë edhe kërkesat e reja të qytetarëve.

“Pas miratimit në kuvend, komisioni është funksional dhe ne menjëherë kemi filluar punën. Kemi filluar me mbajtjen e mbledhjeve dhe me shqyrtimin e kërkesave, sepse ka pasur kërkesa ndër vite e që është bërë një numër i madh i tyre. Paralelisht jemi duke i shqyrtuar kërkesat e reja, kërkesat për riemërtim dhe ato që kanë qenë më herët”, ka deklaruar Beqiri.

Ai ka bërë të ditur se pas shqyrtimit fillestar të kërkesave, komisioni do të dalë në terren për të verifikuar gjendjen faktike. Më pas, propozimet do t’i procedojë në Kuvendin e Komunës për shqyrtim dhe miratim, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Një rëndësi të veçantë, sipas Beqirit, do t’i kushtohet kërkesave për emërtimin e rrugëve me emrat e dëshmorëve të kombit. Ai ka theksuar se do të angazhohet që këto kërkesa të trajtohen me prioritet, si shenjë e respektit dhe mirënjohjes institucionale për kontributin e dëshmorëve në rrugën drejt lirisë.

“Do të kujdesemi personalisht që secila kërkesë që lidhet me emra të dëshmorëve të kombit të miratohet. Sigurisht që duhet të dëshmojmë se si qytetarë dhe si institucione jemi mirënjohës ndaj gjakut të derdhur për liri”, ka thënë Beqiri.

Procesi i paraqitjes së kërkesave për emërtimin apo riemërtimin e rrugëve do të mbetet i hapur për qytetarët edhe në vazhdimësi, pasi komisioni ka mandat deri në vitin 2029.

Qytetarët që dëshirojnë të propozojnë emërtimin apo riemërtimin e një rruge duhet që, krahas kërkesës, të bashkëngjisin edhe listën me nënshkrimet e banorëve përkatës.

Gazeta InZoom

spot_img

Të fundit