Në Komunën e Klinës është nënshkruar Memorandumi i Bashkëpunimit për realizimin e projektit “E ARDHMJA E SAJ, Fuqizimi i Grave Sipërmarrëse në Kosovë”, ndërmjet Komunës së Klinës dhe organizatës PREDA Plus.
Memorandumi u nënshkrua gjatë një takimi ndërmjet Kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, dhe drejtorit të projektit në PREDA Plus, Valentin Hoxha.
“Ky projekt është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit ekonomik të grave në komunën tonë. Përmes këtij bashkëpunimi do të krijojmë mundësi konkrete për zhvillimin e bizneseve në pronësi të grave dhe për rritjen e përfshirjes së tyre në tregun e punës”, u shpreh Elezaj.
Projekti financohet nga Ministria Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), zbatohet nga organizata joqeveritare PREDA Plus, në partneritet me WEntrepreneur dhe me mbështetjen e Arbeiter Samariter Bund (ASB) Köln.
Sipas përfaqësuesve të projektit, fokusi do të jetë në zhvillimin e aftësive në biznes, krijimin e rrjeteve mbështetëse dhe promovimin e një mjedisi të favorshëm për ndërmarrësinë e grave, përmes planifikimit strategjik, ngritjes së kapaciteteve dhe krijimit të hapësirave të dedikuara për gratë sipërmarrëse.
Komuna e Klinës ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur iniciativa që synojnë fuqizimin ekonomik të grave dhe për të përmbushur të gjitha obligimet që dalin nga kjo marrëveshje bashkëpunimi.
Gazeta Inzoom


