HomeLajmeKuvendi përfshin në rend dite si pikë të 11-të Ligjin për Dhomat...

Kuvendi përfshin në rend dite si pikë të 11-të Ligjin për Dhomat e Specializuara

Kuvendi i Kosovës ka votuar mocionin procedural të ushtrueses së detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, për përfshirjen në rendin e ditës të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raporton Ekonomia Online.

Pas votimit të mocionit, ky ligj është përfshirë si pikë e 11-të e rendit të ditës.

Çitaku, duke paraqitur mocionin, ka falënderuar 90 deputetët që e kanë votuar më parë ligjin, ndërsa ka thënë se PDK-ja ka kërkuar kthimin e tij në Kuvend me qëllim të përfshirjes së rekomandimeve që, sipas saj, do ta bëjnë atë më të qëndrueshëm juridikisht.

Ajo ka bërë të ditur se pas diskutimeve me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupe të tjera parlamentare, është arritur pajtueshmëri për ta miratuar fillimisht ligjin në formën aktuale dhe më pas për të nisur procesin e amendamentimit.

“Propozoj mocionin procedural, për ndryshimin e rendit të ditës, për të përfshirë edhe ligjin për ndryshimin e ligjit për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar. E nderuara kryetare, të nderuar kolegë deputetë. Fillimisht, më lejoni të falënderoj 90 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të cilët ligjin e kanë votuar 2 herë. Në një natë shumë dramatike, në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Me atë votim dhe me atë unitet, ne kemi dëshmuar pjekuri të lartë edhe politike, edhe kombëtare, dhe kemi dëshmuar që ka vlera të mëdha që i tejkalojnë politikat ditore dhe që na bashkojnë. Pas kalimit të ligjit në 2 lexime, ju e dini që Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar që ai ligj të kthehet sërish në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sepse na janë dhënë disa këshilla dhe rekomandime të cilat ne besojmë që ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm, edhe më të qëndrueshëm juridikisht. Nga kushdo që do ta kontestonte atë në fazat e mëtejme. Këtë vendim e kemi marrë të vetëdijshëm që do të na kushtojë politikisht po për ne qëllimi është më i rëndësishëm sesa dëmi që mund të na bëhej ne si parti politike. E kemi marrë me bindjen e plotë që mund të bëjmë ndryshime në të. Mirëpo, me pasdiskutimeve të shumta që kemi pasur me eksponent të lartë të lëvizjes vetëvendosje, por edhe me grupe të tjera parlamentare që e kanë mbështetur këtë ligj, ne jemi dakorduar, jemi paraqitur, ndonëse kemi pasur mospajtime në procedurë, në përmbajtje kemi dakordim. Ta miratojm sot dhe tw hwnw tw fillojm me amadamentim”, tha ajo.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se e mbështesin përfshirjen e kësaj çështjeje në rendin e ditës.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se LDK-ja mban qëndrimin e njëjtë si në të kaluarën, ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se Aleanca e mbështet mocionin.

spot_img

Të fundit