Nga nesër fillon votimi për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë një mbledhje për të shqyrtuar dhe miratuar fletëvotimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se pas miratimit të dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimit, procesi i votimit për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës pritet të fillojë më 9 janar.
“Mund të konfirmoj se pas tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, më 8 janar, KQZ do të miratojë fletëvotimin për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Më 9 janar, votuesit jashtë Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës do të mund të fillojnë procesin e votimit,” ka thënë Elezi.
Gjithashtu, ai theksoi se miratimi i fletëvotimit do t’i ndihmojë subjektet politike gjatë fushatës zgjedhore, e cila nis zyrtarisht më 11 janar 2025.