Policia në Malishevë ka arrestuar një person pasi dyshohet se kishte ndezur një zjarr për ‘ta pastruar arën’ në fshatin Bubel, më 16.03.2025.
Sipas Policisë, i dyshuari pasi ka ndezur zjarrin, zjarri është përhapur dhe ka përfshirë një sipërfaqe të pyjeve private.
Policia njofton se rasti ka ndodhur rreth orës 11:20, ndërsa e kanë regjistruar si ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.
”Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje” – njofton Policia, më 17.03.2025.
Drejtori i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, Genc Metaj në një Konferencë për media më 10.03.2025 ka deklaruar se gjendja aktuale me numrin e rasteve të zjarreve në Kosovë paraqet rrezik serioz për qytetarët, mjedisin dhe pronën publike.
Sipas Metajt, ditëve të fundit është vërejtur një shtim i rasteve të zjarreve në nivel vendi.
“Vetëm javën e parë të marsit i kemi pasë 57 raste të zjarreve, ndërsa vetëm nga data 07 deri më 10 mars kanë qenë 294 raste të zjarreve: prej tyre 75 kanë qenë malore, 156 kanë qenë zjarre fushore dhe 63 kanë qenë zjarre të tjera.” – tha Metaj, më 10.03.2025.