Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka publikuar të dhënat e rezultateve nga numërimi i votave për partitë politike, ndërkohë që në qendrat komunale po numërohen votat e kandidatëve për deputetë.
Në web-faqen e KQZ-së në 09:46 u përditësuan rezultatet nga procesimi i të gjitha vendvotimeve.
Sipas këtyre rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 342,281 vota apo 40.80%., Partia Demokratike e Kosovës ka 184,811 vota apo 22.03%, Lidhja Demokratike e Kosovës 147,888 vota apo 17.63 përqind dhe koalicioni AAK, Nisma dhe të tjerët ka marrë 62,588 vota apo 7.46%.

Kujtojmë se në qendrat komunale po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve për deputetë. Në 31 komuna tashmë ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë. Deri dje janë numëruar mbi 92 përqind e vendvotimeve. Kështu ka bërë të ditur për Reporteri.net, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Elezi ka bërë me dije se procesi i numërimit po vazhdon në Leposaviq, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Zveçan.
“Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat është duke vazhduar apo ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, deri më 19 shkurt 2025 janë numëruar 92.73% e vendvotimeve apo 2,349 nga 2,533. Procesi i numërimit ka përfunduar në 31 komuna, ndërkaq është duke vazhduar në Qendrat Komunale të Numërimit në 7 komunat tjera: Leposaviq, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Ferizaj dhe Zveçan”, ka deklaruar Elezi.