Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, për veprën “Spiunazhi”.
Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënoj sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Për dy të pandehurit B.Sh dhe M. Q. ekziston dyshimi i bazuar mirë se secili veç e veç, me veprimet e tyre e kanë kryer veprën penale “Spiunazhi’’ nga neni 124 paragrafi 3 i KPRK–së, kurse, i pandehuri M.Q edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokurori i rastit ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve tu vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, “ngase ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e masës së tillë”.
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të dy me etni shqiptare, u arrestuan nga Policia e Kosovës më 05.06.2024 për shkak të dyshimit për spiunazh. Ata dyshohen se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.
Gjatë batisjes në shtëpitë e të dyshuarve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.
Që të dy janë arrestuar muajin dhe pjesë e aksionit ka qenë edhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Dënueshmëria minimale për këtë vepër është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.