Komuna e Klinës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në drejtim të rritjes së sigurisë dhe mbrojtjes së nxënësve, duke realizuar sigurimin aksidental për nxënësit e Institucionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) “Fehmi Agani” në Klinë, shkruan Gazeta InZoom.
Ky veprim përbën një shembull të mirë të përgjegjësisë institucionale dhe kujdesit ndaj nxënësve, veçanërisht duke pasur parasysh natyrën e mësimit në shkollat profesionale, ku përveç pjesës teorike, zhvillohen edhe aktivitete praktike që mund të bartin rreziqe të ndryshme.
Sipas dokumentacionit zyrtar të publikuar nga Komuna e Klinës, më 13 tetor 2026 është marrë vendimi për menaxhimin e kontratës për ofrimin e sigurimeve aksidentale për nxënësit e kësaj shkolle. Kontrata është lidhur me operatorin ekonomik K.S. “Dukagjini” SH.P.K., me vlerë prej 2,025.94 eurosh dhe kohëzgjatje prej 12 muajsh.
Ky investim, ndonëse me vlerë modeste për buxhetin komunal, ka rëndësi të veçantë për sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve, duke ofruar një mekanizëm shtesë mbrojtjeje në rast të aksidenteve.
“Shembulli i Komunës së Klinës do të duhej të shërbente si model edhe për komunat e tjera të Kosovës, të cilat mund të ndërmarrin iniciativa të ngjashme për sigurimin e nxënësve në shkollat profesionale, por edhe në institucionet e tjera arsimore” ka thënë për InZoom një prind i cili ka dy fëmijë në këtë shkollë.
Mbrojtja e nxënësve nuk duhet të mbetet vetëm përgjegjësi e familjeve dhe e shkollave, por duhet të jetë edhe prioritet i institucioneve komunale. Siguria e tyre është investim në të ardhmen dhe një detyrim që meriton vëmendje nga çdo komunë.
Ky projekt është financuar nga Komuna e Klinës, në kuadër të projekteve të Drejtorisë së Arsimit dhe ka një kosto prej 2025 euro.Gazeta InZoom.


