HomeLajme"Të mblidhemi për të dështuar"

“Të mblidhemi për të dështuar”

Tentimi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës nuk nënkupton gjë tjetër përveçse një
përpjekje tjetër për ta dështuar funksionalizimin e tij. Këtë e dëshmon edhe tentativa e kotë për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.


Jemi një vend i vogël, por me potencial të madh për ta “befasuar” botën. Kuptohet, jo
gjithmonë për të mirë dhe jo gjithmonë nga qytetarët e vendit, por shpeshherë nga vetë të
zgjedhurit e tyre – pra, politikanët tanë.
Kur i shohim këto mbledhje të Kuvendit, të cilat nuk zgjasin më shumë se pesë minuta, mund të nënkuptojmë vetëm një gjë: ata që janë përgjegjës për funksionimin e shtetit dhe
institucioneve, siç duket, nuk e kanë as interesin dhe as urgjencën për ta bërë këtë. Edhe pse në sytë dhe në buxhetin e qytetarit kjo gjë është e domosdoshme, sepse jeta në Kosovë vetëm
po vështirësohet dita-ditës, të besuarit e tyre ende nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje për ta kapërcyer këtë situatë të pakëndshme dhe jopërfitimprurëse për vendin. Ironikisht, zgjidhja gjendet pikërisht në duart e tyre. Ata e kanë çelësin e këtij ngërçi, por për një apo tjetër arsye, nuk po dëshirojnë ta përdorin.
Dikujt nuk po i mjaftojnë mandatet e fituara në bazë të vullnetit të elektoratit. Dikujt nuk po i konvenon konstituimi i Kuvendit, ngase kjo nënkupton edhe krijimin e qeverisë më pas. Disa të tjerë ende po mendojnë për postin e presidentit, i cili është në diskutim për vitin e ardhshëm. Ka edhe nga ata që dëshirojnë zgjedhje të reja, në mënyrë që vendi të kaplohet nga zgjedhjet nacionale dhe lokale, e kështu edhe viti 2026 të kalojë i tëri vetëm duke u përballur me kriza e numra.
Pra, vetëm një gjë është e sigurt: askush nuk po mendon për vendin, për popullin, për
Kosovën. Askush nuk po mendon për zhvillim ekonomik. Askush nuk po mendon për çmimet
e larta të produkteve bazike. Askush nuk po mendon për energjinë që qytetarët tani duhet ta paguajnë më shtrenjtë. Askush nuk po mendon për të rinjtë e të rejat që po jetojnë në një vend ku perspektiva dhe arritja e qëllimeve të tyre është vetëm një ëndërr e bukur, por e paarritshme. Askush nuk po mendon për të papunët që çdo ditë detyrohen të lënë vendin për të siguruar jetesën e tyre dhe të familjeve të tyre. Askush nuk po mendon për pensionistët që dhanë aq shumë vite kontribut për këtë vend, por ende duhet të pajtohen me një pension nënçmues.
Në përgjithësi, për Kosovën, për integrimet e saj dhe për avancimin në arenën
ndërkombëtare, jo vetëm që nuk po mendohet, por as nuk po arrijmë t’i heqim disa sanksione që padrejtësisht i janë vënë vendit. Nuk po arrijmë as t’i rikthejmë disa fonde të ndaluara, në mënyrë që ato të vihen sërish në shërbim të qytetarëve dhe vendit. Nuk po arrijmë asgjë, të paktën në aspektin pozitiv. Por diçka po arrijmë – fatkeqësisht – po arrijmë që debatet e brendshme, tashmë të konsumuar dhe që nuk po sjellin asgjë të mirë për vendin, t’i zgjerojmë, t’i avancojmë dhe t’i diskutojmë pothuajse në çdo aspekt, vend dhe mundësi.
Pra, debate të kota që, përveç përçarjes së popullit dhe negativitetit, nuk po sjellin asgjë të
mirë për Kosovën. Së paku jemi kampionë në diçka: në prodhimin e gjërave dhe debateve të kota, të cilat përveç regresit nuk po tregojnë ndonjë rezultat tjetër. E kampionë do të bëhemi edhe si shtet – pra, të mblidhemi çdo 48 orë, vetëm për të dështuar përsëri.

spot_img

Të fundit