HomeKomunaVdekja e 43-vjeçares, drejtori i Shëndetësisë në Klinë mohon se autoambulanca kishte...

Vdekja e 43-vjeçares, drejtori i Shëndetësisë në Klinë mohon se autoambulanca kishte mungesë sinjalizimi

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Klinës, Agron Bacaj, ka mohuar se autoambulanca që transportoi 43-vjeçaren Albona Morina drejt Spitalit Rajonal të Pejës kishte probleme me sinjalizimin emergjent. Pas raportimit të Gazetës Sinjali se automjeti nuk kishte sirenë dhe drita emergjente, Bacaj ka deklaruar se autoambulancat kanë qenë të pajisura me të gjitha mjetet e nevojshme.

Sipas tij, arsyeja e kërkimit të asistencës policore ka qenë gjendja e rëndë e pacientes dhe synimi që ajo të dërgohej sa më shpejt në spital, për shkak të punimeve në rrugët e Klinës, kolonave të krijuara dhe motit me shi.

““QKMF-ja ka pasë posedim, autoambulanca, bile njëra është e re sapo është futur ne përdorim, arsyeja pse e ka bë stafi thirrjen policinë, është rasti që ka qënë urgjent, dhe u kanë një (s’kuptohet) qe u bë me rrugëve të Klinës që është duke u punuar e për ata e kanë marrë përcjelljen e Policisë, se autoambulancat janë të pajisura me krejt ato çka janë adekuate, që duhet me i posedu automabulanca””, ka deklaruar Bacaj për Sinjalin.

Ai ka theksuar se automjetet kanë qenë të pajisura edhe me goma të dimrit dhe se kërkesa për përcjellje policore është bërë për të shmangur vonesat e mundshme në trafik.

“Rrugëve të klinës, ssheshet e kështu, ka pasë mot me shi kolona, kjo është arsyeja që e kanë marrë përcjelljen e policisë për me dërgu rastin më shpejjtë, sepse rasti ka qenë i rëndë. Autoambulancat kanë qenë të pajisura me goma të dimrit me sinjal, me krejt komplet. Arsyeja që stafi ka thirrë përcjellje të Policisë nuk është humbje sinjalisitike, nuk është si pasojë e defekteve të mundshme ne autoambulacë por është për përcjelle më të shpejt të rastit dhe mënyra më e shpejtë për me e përcjell në Pejë ka qenë Policia.”, ka thënë ai.

Drejtori i Shëndetësisë ka shtuar se, meqë rasti është nën hetim, nuk dëshiron të japë informacione të tjera deri në përfundimin e procedurave nga institucionet përgjegjëse.

“Përderisa rasti është nën hetim, informacione shtesë nuk kisha dashur të jap pa dalë institucionet që merren me këtë punë. Janë duke u kryer procedurat, sepse është vdekje e dyshimtë”, ka deklaruar Bacaj.

Ndryshe, siç raportoi më herët Gazeta Sinjali, 43-vjeçarja Albona Morina kishte kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në e Klinës të premten, më 13 nëntor. Pasi gjendja e saj ishte përkeqësuar, personeli mjekësor kishte vendosur ta transportonte drejt Spitalit Rajonal të Pejës, ndërsa për këtë kishte kërkuar asistencën e Policisë.

Pas mbërritjes në spital, mjeku kujdestar kishte konstatuar vdekjen e saj. Me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

spot_img

Të fundit