Në sallën e Kuvendit Komunal të Klinës, është organizuar ceremonia tradicionale e ndarjes së mirënjohjeve dhe orëve të dorës për pesëmbëdhjetë mësuesit e pensionuar gjatë vitit 2024.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtori i Arsimit, Qemajl Sejdija, kryetari i sindikatës së Arsimit, dega në Klinë, Safet Elezaj, drejtorë shkollash, si dhe mësimdhënës.
Me këtë rast, kryetari Elezaj falënderoi mësimdhënësit për punën dhe kontributin e tyre të çmuar në edukimin e shumë gjeneratave, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit të tyre në zhvillimin e arsimit në komunë.
“Shprehim mirënjohjen tonë të thellë si institucion për përkushtimin dhe punën tuaj të palodhur ndër vite, duke edukuar dhe formuar breza të tërë nxënësish. Kontributi juaj në arsim është i pazëvendësueshëm dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në historinë tonë të lavdishme.
Me këtë simbolikë të thjeshtë, por me vlerë të madhe, ne duam t’ju falënderojmë për mundin, durimin dhe dashurinë që keni treguar në profesionin tuaj fisnik. Uroj që pensionimi juaj të jetë i mbushur me shëndet, gëzim dhe momente të bukura pranë familjeve tuaja!” – ka thënë Elezaj.
Ky aktivitet tashmë është bërë traditë në Klinë dhe vlerëson angazhimin e mësuesve që kanë dhënë një kontribut të madh në arsimimin e brezave të rinj.