HomeLajmeMinistria pa buxhet, dështon zgjerimi i Kijevë-Dollc: Anulohet tenderi për LOT 1...

Ministria pa buxhet, dështon zgjerimi i Kijevë-Dollc: Anulohet tenderi për LOT 1 nga Kijeva në Gllarevë

Zgjerimi i rrugës nacionale N9, në segmentin Kijevë-Dollc, LOT 1, nga Kijeva deri në Gllarevë, nuk pritet të nisë as këtë vit. Ndonëse LOT 3 i këtij segmenti ka përfunduar dhe po vazhdojnë punimet në segmentet e tjera, nisja e punimeve në LOT 1 duket ende larg, shkruan Gazeta Inzoom.

Kjo pasi Ministria e Infrastrukturës e ka anuluar sërish procedurën e prokurimit për këtë lot, duke e arsyetuar vendimin me mungesën e buxhetit për realizimin e projektit.

Inzoom ka siguruar komunikimet zyrtare brenda Ministrisë së Infrastrukturës, në të cilat sqarohen arsyet që kanë çuar në kërkesën për anulimin e tenderit.

Sipas këtyre komunikimeve, mungesa e mjeteve financiare lidhet me nënshkrimin e katër kontratave për segmentin Dollc-Ramun, para përfundimit të procedurave të prokurimit për këtë aktivitet, çka ka bërë që të shpenzohet buxheti në dispozicion për projektin.

Në arsyetimin e dhënë nga Ministria thuhet se gjatë vitit të kaluar nuk ka qenë e mundur të bëhej rishikimi i buxhetit për shkak të mungesës së institucioneve, ndërsa nuk është lëshuar as Qarkorja e Dytë e Buxhetit, përmes së cilës do të mund të planifikoheshin mjete shtesë për këtë projekt.

“Arsyeja e mungesës së buxhetit vitin e kaluar ka qenë se, para përfundimit të procedurave për këtë aktivitet të prokurimit, janë nënshkruar katër kontrata për segmentin Dollc–Ramun dhe, si rrjedhojë e kësaj, është konsumuar buxheti në dispozicion për këtë projekt”, thuhet në komunikimin e siguruar nga Inzoom.

Në të njëjtin arsyetim, Ministria thekson se mungesa e rishikimit të buxhetit dhe e mundësisë për planifikimin e mjeteve shtesë, së bashku me nënshpenzimin e buxhetit të vitit 2025 për këtë projekt, ka bërë që mungesa e mjeteve financiare të reflektohet edhe në buxhetin e vitit 2026.

Anulimi i përsëritur i procedurës së prokurimit e lë të paqartë se kur mund të nisë realizimi i LOT 1, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura afatet për një procedurë të re apo për sigurimin e buxhetit të nevojshëm./Gazeta Inzoom

spot_img

Të fundit