HomeLajmeFesta e Bajramit, Tërnava uron besimtarët: Gëzimi i vërtetë është ai që...

Festa e Bajramit, Tërnava uron besimtarët: Gëzimi i vërtetë është ai që ndahet me të tjerët

Në ditën e fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit, Myftiu Naim Tërnava iu është drejtuar besimtarëve myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

Tha se muaji i Ramazanit ishte një periudhë e edukimit të thellë shpirtëror dhe moral për besimtarët, duke theksuar se kjo festë përfaqëson kulmin e një rrugëtimi të përkushtimit dhe devotshmërisë.

Ai deklaroi se Ramazani shërbeu si një shkollë e lartë e edukimit shpirtëror, ndërsa Fitër Bajrami vjen si manifestim i vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore, duke përcjellë mesazhe paqeje, solidariteti dhe përgjegjësie shoqërore.

“Ky muaj i begatë ishte një shkollë e lartë e edukimit shpirtëror dhe moral, ku besimtari u përpoq të pastrojë zemrën, të disiplinojë shpirtin dhe të afrohet më shumë me Zotin e madhërishëm. Në përjetimin e agjërimit, lutjes dhe solidaritetit, ne rikthyem ekuilibrin e brendshëm dhe forcuam lidhjen tonë me krijuesin dhe me njëri-tjetrin”, tha ai.

Ai theksoi se Ramazani dëshmoi se besimi kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe përgjegjësi.

“Ramazani na mësoi se besimi nuk është vetëm fjalë, por përkushtim i gjallë. Ai na edukoi në durim, në sinqeritet dhe në përgjegjësi, duke na kujtuar se njeriu e arrin madhështinë e tij përmes përulësisë dhe devotshmërisë. Ky muaj na bëri të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë ndaj Zotit, ndaj vetvetes dhe ndaj shoqërisë, duke forcuar ndjenjën e solidaritetit dhe të dhëmbshurisë për ata që janë në nevojë”, tha ai.

Sipas tij, Fitër Bajrami përfaqëson kurorën e këtij rrugëtimi shpirtëror dhe është ditë e reflektimit mbi përgjegjësinë individuale dhe kolektive.

“Fitër Bajrami është kurorë e këtij rrugëtimi shpirtëror. Ai nuk është vetëm një festë gëzimi, por një manifestim i vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore. Në këtë ditë, zemrat mbushen me paqe, falje dhe dashuri, ndërsa besimtari e ndjen më fuqishëm përgjegjësinë e tij si mëkëmbës i Zotit në tokë, për të përhapur të mirën dhe për të ndërtuar një shoqëri të drejtë e të moralshme”, tha ai.

Myftiu Tërnava theksoi se kjo festë mbetet simbol i bashkimit, pajtimit dhe humanizmit, duke bërë thirrje për solidaritet të shtuar ndaj shtresave në nevojë.

“Në traditën tonë, Fitër Bajrami është festë e bashkimit, e pajtimit dhe e humanizmit. Është dita kur hapen zemrat, kur shtrihen duart e pajtimit dhe kur forcohen lidhjet familjare e shoqërore. Sofrat tona mbushen me begati, por mbi të gjitha me dashuri, respekt dhe mirënjohje. Kjo festë na kujton se gëzimi i vërtetë është ai që ndahet me të tjerët. Kjo është dita kur duhet të jemi më pranë njëri-tjetrit, më të kujdesshëm ndaj të varfërve, jetimëve, të moshuarve e të sëmurëve. Bajrami na mëson se humanizmi nuk është vetëm një ndjenjë, por një detyrim moral dhe shpirtëror që duhet të shoqërojë jetën tonë të përditshme”, tha ai.

Në fund, ai theksoi se mesazhi i kësaj feste është paqja dhe dinjiteti njerëzor në një kohë sfidash globale.

“Mesazhi i Fitër Bajramit është paqja, solidariteti dhe dinjiteti njerëzor, në një kohë kur bota po përballet me konflikte dhe luftëra që po marrin jetë të pafajshme. Kjo festë na fton të lutemi për paqe dhe të angazhohemi për ndërtimin e një bote më të drejtë. Lutemi që Zoti i madhërishëm të udhëzojë njerëzimin, t’u japë fund luftërave, t’i ndalë vuajtjet dhe të sjellë paqe e mirëkuptim në botë”, tha ai.

spot_img

Të fundit