Afati për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publik po i afrohet fundit, ndërsa drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, bën të ditur se mbi 90% e zyrtarëve tashmë e kanë përmbushur këtë obligim, por paralajmëron gjoba për ata që nuk e respektojnë afatin.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Buleshkaj theksoi se afati i fundit për deklarimin e pasurisë përfundon sot në orën 23:59.
“Shumica dërrmuese e zyrtarëve, mbi 9 mijë, kanë deklaruar pasurinë tashmë. Janë mbi 90% e zyrtarëve që e kanë përfunduar këtë proces. I kemi mbi 400 të cilët ende nuk kanë filluar deklarimin e pasurisë dhe i kemi 530 të cilët janë në përfundim të deklarimit të pasurisë. Do të thotë jemi në 900-shin e fundit të deklarimit të pasurisë.
Po ashtu edhe afati i deklarimit të pasurisë është në fund. Kanë mbetur tashmë vetëm edhe 12-13 orë për ta deklaruar pasurinë sepse mbyllet si afat në mesnatë, do të thotë në orën 23:59:59 sekonda mbyllet sistemi. Dhe si i tillë, secili që vonohet edhe një minutë pas mesnate, kualifikohet për të pranuar një gjobë e cila është 30% e pagës mujore të atij zyrtari”, tha ai.
Buleshkaj, kritikoi praktikën e lënies së deklarimit për momentet e fundit nga një pjesë e zyrtarëve.
“Edhe kësaj radhe, ngjashëm me radhët e kaluara, kemi numër goxha të madh të zyrtarëve që e kanë lënë deklarimin e pasurisë për momentet e fundit, e që nuk është një praktikë shumë e mirë. Sidomos për ata që mund të kenë diçka të paqartë në proces dhe kanë nevojë të konsultohen me Agjencinë. Ne kemi numër të vogël të zyrtarëve që janë të ngarkuar me punët e deklarimit të pasurisë dhe ata nuk do të kenë mundësi që të pranojnë 1000 telefonata potenciale përnjëherësh.
Që nga fillimi kemi bërë thirrje që secilin zyrtar ta fillojë më herët deklarimin e pasurisë dhe ta përfundojë shumë më herët. Për më tepër, sot kemi një arsye shtesë ta kryejmë më herët sepse është një lojë futbollistike shumë e rëndësishme ku shumica e qytetarëve të Kosovës janë të interesuar ta përcjellin. Ajo zgjat afërsisht deri në fund të afatit dhe ka shumë mundësi që t’ju kalojë afati zyrtarëve të caktuar dhe të kualifikohen, siç e përmenda më herët, për gjobë”, u shpreh ai.
Ai u bëri thirrje zyrtarëve që ta përfundojnë sa më shpejt këtë obligim dhe të kërkojnë ndihmë në rast nevoje.
“Kështu që edhe njëherë u bëjmë thirrje që të gjithë ta kryejnë obligimin sa më herët që është e mundur gjatë ditës. Në qoftë se kanë pyetje për Agjencinë, t’i adresohen përmes numrave të cilët tashmë ata i kanë dhe i dinë. Për më tepër ka edhe email, përmes të cilit do të tentojmë t’ju kthejmë përgjigje të gjithë atyre që kanë ndonjë pyetje. Sistemi është funksional, duhet ta theksoj, është goxha intuitiv, është i sigurt dhe të gjithë ata mund ta kryejnë obligimin në kohë. Kushdo që ka harruar fjalëkalimin mund ta resetojë fjalëkalimin e tyre, është një procedurë mjaft e thjeshtë duke i vendosur kredencialet që janë numri personal dhe emaili kontaktues i cili është përdorur për deklarimin e pasurisë. Si të tillë, janë hapa tepër të lehtë”, thotë ai.
Buleshkaj nënvizoi se procesi i deklarimit është i thjeshtë dhe kërkon pak kohë për shumicën e zyrtarëve.
“Deklarimi i pasurisë, për kushdo që s’ka pasur dallim të madh në këto vitet e fundit apo nga viti i kaluar deri në këtë vit, është çështje minutash për ta kryer obligimin sepse të gjitha të dhënat e herës së kaluar tashmë janë në sistem, vetëm kanë nevojë t’i përditësojnë ato. Për shembull, në qoftë se dikush nuk ka pasuri të paluajtshme shtesë (apartamente, tokë, etj.), nuk ka nevojë t’i prekë fare, thjesht i kalon si hapa. Në qoftë se ka vetëm dallim në të hyra, i ndryshon vetëm të hyrat dhe mund ta dërgojë të gjithë regjistrin për një kohë shumë të shkurtër, çështje minutash. Këtu po flas nga përvoja ime sepse edhe të gjithë zyrtarët e Agjencisë janë subjekte deklaruese dhe ne të gjithë e kemi kryer deklarimin e pasurisë. Për mua, për shembull, ka marrë disa minuta si proces dhe ka qenë shumë lehtë për t’u përfunduar”, thekson Buleshkaj.
Ai shpjegoi se gjobat për mosdeklarim janë të shkallëzuara në bazë të pagës së zyrtarëve.
“Ligji e ka paraparë që gjoba, e cila shqiptohet në mënyrë mandatore nga Agjencia, të jetë e shkallëzuar varësisht nga paga që pranon zyrtari. Në qoftë se një zyrtar e ka një pagë më të lartë, për shembull 1500 euro, gjoba për të është rreth 500 euro. Për dikë tjetër që e ka më të vogël, në qoftë se është po thojmë 1000 euro, gjoba do të jetë 300 euro. Do të thotë është e shkallëzuar varësisht, është në bazë të pagës, jo pagës mesatare, por pagës reale që zyrtari pranon në bazë mujore. Ata që kanë paga më të vogla, normal që kanë edhe gjobë më të vogël. Por, sidoqoftë, çfarëdo gjobë që pranohet, duke pasur parasysh që edhe në sektorin publik nuk ka pagë më të vogël se po besoj rreth 500 euro, gjoba minimale do të jetë mbi 150 euro, që është shumë goxha e madhe dhe substanciale për secilin qytetar të Kosovës, për më tepër në kohën kur edhe çmimet nuk janë duke u zbritur por janë duke u ngritur në mënyrë të vazhdueshme”, thotë drejtori.
Buleshkaj paralajmëroi edhe pasoja më të rënda në rast të mosrespektimit të afateve edhe pas gjobës fillestare.
“Po flasim tashmë për afatin e parë, do të thotë për të gjithë ata që deklarimin e bëjnë pas 1 prillit. Secili zyrtar publik i cili është i obliguar ta kryejë këtë deklarim dhe nuk e kryen, për 15-ditëshin e parë pason gjoba (30% e pagës). Në qoftë se vonohet më shumë se 15 ditë pas afatit, atëherë përveç gjobës bëhet edhe subjekt i hetimit penal. Të gjitha këto raste Agjencia i përcjell në prokurori, pastaj prokuroria mund të ngritë aktakuzë për mosdeklarim të pasurisë në kohë, e cila sipas ligjit tonë po ashtu edhe Kodit Penal, dënohet edhe me gjobë edhe me burg deri në (në qoftë se nuk gaboj) deri në 5 vite për mosdeklarim të pasurisë. Po ashtu edhe gjobat mund të jenë jo tashmë vetëm 30% e pagës, por janë edhe më të mëdha”, shtoi Bukeshkaj.


