Komuna e Klinës po përballet me një barrë të rëndë financiare si pasojë e zbatimit të Kontratës Kolektive të Ministrisë së Arsimit me SBASHK-un, e cila po ndikon drejtpërdrejt në mungesën e investimeve kapitale në këtë komunë, shkruan Gazeta Inzoom.
Gazeta Inzoom nga burime brenda komunës merr vesh se vetëm gjatë këtij viti rreth 1.7 milion euro janë ekzekutuar nga përmbaruesit privatë, kryesisht për pagesa që lidhen me detyrimet e dala nga kjo kontratë kolektive. Këto mjete, të cilat ishin planifikuar për projekte zhvillimore dhe investime në infrastrukturë, tashmë janë ridestinuar për përmbushjen e obligimeve ligjore.
Për Gazetën Inzoom zyrtarë të komunës kanë thënë se kjo situatë po e pamundëson realizimin e projekteve të reja, duke ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët. Ata theksojnë se përkundër vullnetit për të investuar në sektorë kyç si arsimi, infrastruktura dhe shërbimet publike, buxheti komunal po kufizohet ndjeshëm nga këto pagesa të detyruara.
Ndërkohë, kërkohet një zgjidhje në nivel qendror për të adresuar këtë problem, pasi komunat po përballen me pasoja të mëdha financiare nga një kontratë që nuk është nënshkruar nga to drejtpërdrejt./Gazeta Inzoom


