HomeUncategorizedKomuna e Obiliqit publikon të dhëna personale të aplikuesve në konkurse pune

Komuna e Obiliqit publikon të dhëna personale të aplikuesve në konkurse pune

Dokumente të publikuara nga Komuna e Obiliqit në kuadër të procedurave të rekrutimit kanë ekspozuar të dhëna personale të aplikuesve në konkurse pune.

Gazeta Inzoom ka verifikuar se në disa lista me rezultatet përfundimtare të kandidatëve, të publikuara në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ), janë përfshirë edhe numra personalë dhe numra telefoni, por nuk po i ripublikon dokumentet për shkak të detyrimit për mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve.

Në këto lista, përveç vlerësimit të komisionit të pranimit, janë bërë publike edhe numrat personalë dhe numrat e telefonit të kandidatëve.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, numri personal përbën të dhënë personale dhe përpunimi ose publikimi i tij duhet të bëhet në përputhje me kërkesat e këtij ligji.

Gazeta Inzoom i ka drejtuar pyetje Komunës së Obiliqit për arsyet e publikimit të këtyre të dhënave dhe masat që ka ndërmarrë pas identifikimit të rastit.

Po ashtu, pyetje janë dërguar edhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi për të vlerësuar nëse rasti përbën shkelje të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe nëse do të ndërmerren veprime në këtë rast. Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ne ende nuk kemi marrë përgjigje.

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka shqiptuar më herët masa ndëshkuese ndaj institucioneve publike për publikimin e paautorizuar të të dhënave personale./Gazeta Inzoom

spot_img

Të fundit