Deponi të mbeturinave janë krijuar në hapësirat publike të fshatit Gjurgjevik i Madh të Klinës.
Banorët e këtij fshati shprehen të shqetësuar për gjendjen e krijuar, duke thënë se mbeturinat po hidhen në mënyrë të vazhdueshme në hapësira publike. Sipas tyre, personat që i hedhin mbeturinat kryesisht nuk janë banorë të fshatit.
Përveç mbeturinave të ndryshme dhe atyre inerte, banorët thonë se në këtë zonë janë hedhur edhe kafshë të ngordhura, duke shkaktuar erë të rëndë dhe duke krijuar shqetësim për banorët dhe mjedisin.
“Siç po shihet, këtu është mbushur me mbeturina inerte dhe të ndryshme. Ndodh të hidhen edhe kafshë të ngordhura. Kryesisht këtu hedhin mbeturina kalimtarë dhe qytetarë nga vende të tjera, jo banorët e fshatit”, kanë deklaruar banorët për Gazetën InZoom.
Banorët thonë se për këtë problem kanë njoftuar edhe institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“E kemi njoftuar edhe Ministrinë e Mjedisit. Kemi parë se është ndërmarrë një aksion për pastrimin e deponive ilegale dhe shpresojmë që edhe këtu do të vijnë për ta pastruar”, kanë thënë ata.
Banorët kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë sa më shpejt për pastrimin e kësaj hapësire, por edhe të merren masa për të parandaluar hedhjen e mëtejshme të mbeturinave dhe krijimin e deponive ilegale.





