HomeKomunaQKMF në Klinë publikon detaje për vdekjen e pacientes: Pati reaksion alergjik...

QKMF në Klinë publikon detaje për vdekjen e pacientes: Pati reaksion alergjik pas infuzionit, gjatë rrugës iu bë reanimim

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) “Nënë Tereza” në Klinë ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me vdekjen e pacientes pas marrjes së shërbimit shëndetësor në këtë institucion, raporton Gazeta InZoom.

Sipas QKMF-së, pacientja fillimisht kishte marrë shërbim specialistik te mjeku infektolog, i cili i kishte përshkruar terapi me infuzion.

Pas fillimit të infuzionit në njësinë përkatëse, pacientja kishte shfaqur menjëherë reaksion alergjik. Ajo më pas ishte dërguar në pë/urgjencën e QKMF-së, ku mjeku internist, së bashku me mjekët e tjerë, kishte ndërmarrë trajtimin e reaksionit alergjik.

Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacientja ishte transferuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal në Pejë, e shoqëruar nga mjeku dhe infermieri.

Për të përshpejtuar transportin, për shkak të ngarkesës në trafik, ishin angazhuar edhe njësitë policore të Klinës.

Në njoftim bëhet e ditur se gjatë pjesës më të madhe të rrugës pacientja i ishte nënshtruar reanimimit kardiopulmonar, ndërsa pas arritjes në Pejë ishte intubuar.

Megjithatë, pavarësisht masave intensive dhe terapeutike të ndërmarra, pacientja ka ndërruar jetë.

QKMF ka bërë të ditur se rasti është aktualisht nën hetim nga institucionet kompetente dhe se do të bashkëpunojë me organet përkatëse, duke u ofruar të gjithë dokumentacionin mjekësor të kërkuar.

Në fund të njoftimit, institucioni ka theksuar se, duke respektuar ndjeshmërinë e rastit, dinjitetin e pacientes dhe privatësinë e familjes, nuk do të japë komente të tjera gjatë zhvillimit të hetimeve, por do ta informojë publikun për çdo zhvillim relevant./Gazeta InZoom

spot_img

Të fundit