Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Komunën e Villeneuve në Zvicër, ku është pritur nga nënkryetari i kësaj komune, Arbër Jagoda, me prejardhje nga fshati Potërç i Klinës.
Në këtë vizitë, Elezaj është shoqëruar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Enver Berisha, dhe drejtori i Financave, Faruk Smajli.
Në takimin zyrtar kanë marrë pjesë edhe Cristiano Chiappa, kryetar i Komisionit të Financave, si dhe Isuf Jagoda, përfaqësues për integrimet me Ballkanin.
Përmes një postimi, kryetari Elezaj ka falënderuar nënkryetarin Arbër Jagoda për ftesën dhe mikpritjen, duke vlerësuar sukseset e bashkatdhetarëve nga Klina në shtetet evropiane.
Gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave, shkëmbimin e përvojave në qeverisjen lokale dhe realizimin e projekteve të përbashkëta në fusha të ndryshme.
Elezaj ka theksuar se bashkëpunimi institucional dhe ruajtja e lidhjeve me diasporën janë të rëndësishme për zhvillimin e komunës dhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.


