HomeKomunaDrejtori i Arsimit në Fushë Kosovë jep dorëheqje pas kërkesës së Prebrezës...

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë jep dorëheqje pas kërkesës së Prebrezës për ndëshkimin e stafit që mungoi në ceremoni

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Sabri Xhigoli, ka dhënë dorëheqje pas situatës së krijuar të enjten në gjimnazin “Hivzi Sylejmani”, ku kryetari i kësaj komune, Valon Prebeza, kërkoi dorëheqjen e drejtorit të shkollës dhe masa ndëshkuese ndaj personelit që nuk mori pjesë në ceremoninë për nder të 28 Nëntorit.

Xhigoli ka thënë se kërkesat e kryetarit Prebeza ndaj stafit të shkollës kanë qenë të paarsyeshme, duke theksuar se e vlerëson shumë kolektivin e gjimnazit.

Në një prononcim për “Nacionale”, ai ka bërë të ditur se dorëheqjen e ka dhënë për shkak të situatës së krijuar, ndërsa ka sqaruar se aktiviteti nuk ishte organizuar nga Drejtoria e Arsimit.

“E kam dhënë dorëheqjen, por kam dhënë për shkak të situatës së djeshme. Dje ishte njëra nga arsyet që kam dhënë. Unë e vlerësoj shumë stafin e Hivzi Sylejmanit. Shumë është kërkuar dorëheqja sikur kanë munguar mësimdhënësit dhe nxënësit dje. Por kjo nuk është bërë nën patronatin e Drejtorisë së Arsimit, por të Kulturës”, ka thënë Xhigoli.

Rasti u bë publik pasi gjatë ceremonisë për shënimin e 28 Nëntorit, kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebeza, kërkoi nga drejtori i Arsimit që të ndërmarrë masa ndaj drejtorit të gjimnazit “Hivzi Sylejmani” dhe personelit që nuk ishte i pranishëm në aktivitet.

Prebeza kishte kërkuar dorëheqjen e drejtorit të shkollës dhe ndëshkimin e stafit, duke shkaktuar reagime lidhur me kërkesat ndaj punonjësve të institucionit arsimor për mospjesëmarrjen në ceremoninë komunale.

spot_img

Të fundit