HomeKomunaKlinë Quinto di Treviso, forcohet miqësia dhe bashkëpunimi ndërmjet dy komunave

Klinë Quinto di Treviso, forcohet miqësia dhe bashkëpunimi ndërmjet dy komunave

Komuna e Klinës ka shënuar përvjetorin e binjakëzimit me Komunën e Quinto di Treviso të Italisë, në një aktivitet që vuri në pah marrëdhëniet e ndërtuara ndër vite mes dy komunave dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Në kuadër të aktiviteteve, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, priti në takim zyrtar ambasadoren e Republikës së Kosovës në Itali, znj. Nita Shala.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Itali, Gëzim Muçolli, veprimtarët e mërgatës Bajram Desku dhe Albert Bashota, përfaqësues të KFOR-it Italian, si dhe bashkatdhetarë që jetojnë dhe veprojnë në Itali.

Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet në Komunën e Klinës, sfidat me të cilat përballet pushteti lokal, si dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, partnerëve italianë dhe komunitetit shqiptar në Itali.

Një nga momentet kryesore të aktivitetit ishte zbulimi i pllakës simbolike me rastin e përvjetorit të binjakëzimit të Komunës së Klinës me Komunën e Quinto di Treviso.

Ky moment u vlerësua si një simbol i miqësisë dhe i lidhjeve të qëndrueshme të krijuara ndërmjet dy komuniteteve. Binjakëzimi, përveç dimensionit institucional, shihet edhe si një mundësi për zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme.

Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj, nëpërmjet një postimi në facebook, ka thënë se bashkëpunimi me partnerët italianë do të vazhdojë të jetë një nga drejtimet e rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët.

Ai shprehu mirënjohje për shtetin dhe popullin italian për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Republikës së Kosovës, veçanërisht në proceset e konsolidimit të paqes, sigurisë dhe zhvillimit institucional.

Elezaj vlerësoi edhe rolin e mërgatës për angazhimin e tyre dhe për sukseset e arritura në Itali, duke u cilësuar si një urë e rëndësishme lidhëse ndërmjet Kosovës dhe shtetit italian.

“Në Komunën e Klinës do të vazhdojmë të punojmë për forcimin e marrëdhënieve me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe për krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim në ekonomi, kulturë, arsim, rini dhe fusha të tjera me interes të përbashkët”, ka thënë Elezaj.

Përvjetori i binjakëzimit me Quinto di Treviso u shfrytëzua edhe si një mundësi për të riafirmuar përkushtimin e dy palëve për forcimin e lidhjeve ekzistuese dhe krijimin e një agjende të re bashkëpunimi.

spot_img

Të fundit