Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se legjislatura aktuale duhet ta zgjedhë presidentin dhe të shmangen zgjedhjet e reja, duke theksuar se janë bërë oferta për bashkëpunim me partitë opozitare, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja dhe se institucionet duhet të funksionalizohen në tërësi nga përbërja aktuale e Kuvendit.
“Legjislatura e 10-të duhet ta zgjedhë presidentin. Duhet t’i evitojmë zgjedhjet e reja, të cilat janë të panevojshme dhe nuk sjellin gjë të re. Legjislatura e 10-të nuk i ka as 113 javë, e që do të ishin rreth dy vjet, i ka veçse 113 ditë. Pra, më 28 dhjetor i kemi mbajtur zgjedhjet, po atë natë e kemi parë rezultatin, kurrë s’ka qenë më i qartë, dhe tash këta 120 deputetë duhet që t’i funksionalizojnë institucionet në plotni. Kemi Kuvend, kemi Qeveri, duhet të kemi edhe president. Duhet të pranohet dhe respektohet rezultati i zgjedhjeve dhe duhet të funksionalizohet ai”, tha ai.
Ai theksoi se shumica parlamentare ekziston dhe se partitë duhet ta respektojnë rezultatin zgjedhor.
“Lëvizja Vetëvendosje me partnerët e saj i ka 57 deputetë. Si maxhorancë jemi me 66 deputetë. Natyrisht që pranimi i rezultatit mund të nënkupton që PDK-ja ta kuptojë që janë 22 deputetë, janë një e treta e maxhorancës, dhe duhet ta mirëkuptojnë edhe pozitën time të vështirë, sepse Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 51.1% të votës popullore. Dhe ky është një rezultat i paparë, prandaj edhe vitin 2026 do të duhej të sillemi në përputhje me këtë rezultat”, tha ai.
Kurti bëri të ditur se i ka ofruar Bedri Hamza një rrokadë në pozitat institucionale, duke e cilësuar si kompromis të rëndësishëm.
“Unë i kam ofruar kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, që të bëhet një rrokadë ndërmjet kryetares aktuale që është edhe ushtruese e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe nënkryetarit të PDK-së që në këtë rast është Vlora Çitaku. Pra, lirisht PDK-ja le ta bën kryetar Bedri Hamzën, kryetar të Kuvendit, ose Vlora Çitakun, Albulena Haxhiu bëhet nënkryetare e Kuvendit edhe vazhdojmë tutje. Edhe besoni që kjo nuk është pak. Sepse Albulena Haxhiu ka më shumë vota se Bedri Hamza, dhe Albulena Haxhiu ka gati katërfish më shumë vota se Vlora Çitaku. Pra, ky është një koncesion i madh që e bëjmë ne, që Albulena Haxhiu t’ia lirojë vendin Bedri Hamzës. Katër veta në Vetëvendosje kanë më shumë vota se Bedri Hamza. Përveç meje, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu edhe Hekuran Murati ka më shumë vota sesa Bedri Hamza. Ndërkaq, nëse e krahasoni me LDK-në, 10 veta në Vetëvendosje janë më të votuar sesa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Për shembull, a e dini që Ejup Maqedonci që ka qenë me numër 16 në listën e Vetëvendosjes, ka më shumë vota se Lumir Abdixhiku? 10 veta në Vetëvendosje! Nëse bëhen bashkë grupi parlamentar i Vetëvendosjes dhe grupi parlamentar i LDK-së, kryetari i LDK-së është i 11-ti me vota. Pra, duhet ta respektojmë rezultatin zgjedhor. Nuk mundemi ta shkelim vullnetin e popullit”, tha ai.
Ai shtoi se ka pasur ofertë edhe për Lumir Abdixhiku, duke e konsideruar atë si ofertë “gjeneroze”.
“Unë nuk po them që opozita është e rëndësishme, përkundrazi, kam bërë ofertë gjeneroze. Kryetari i LDK-së mund të bëhet zëvendëskryeministër, zëvendësi im, dhe përveçse të jetë zëvendëskryeministër, njëkohësisht të jetë edhe ministër i Punëve të Jashtme, pra t’i kenë katër ministri edhe të jetë zëvendëskryeministër. Dhe jo vetëm kaq, ose ta ketë verzionin tjetër, nëse nuk i pëlqen të bashkëqeverisë, ta bëjmë rokadën ku Lumir Abdixhiku ose dikush tjetër i LDK-së bëhet kryetar Kuvendi”, tha ai.
Kurti tha se LDK duhet të konsultohet me partnerët ndërkombëtarë për ofertën e bërë nga qeveria.
“Më besoni, Lidhja Demokratike e Kosovës e cila është anëtare e Partive Popullore Evropiane (EPP), nëse kryetari i LDK-së i pyet partitë popullore evropiane dhe ju thotë, ‘kryeministri Albin Kurti që i ka 66 deputetë mazhorancë, mua që i kam 15 deputetë, ma ka ofru zëvendëskryeministrin edhe katër ministri edhe kam thënë jo’, unë jam i bindur që ata s’do ta mirëpresin. Le ta pyesë kancelarin Merz, le ta pyesë kancelarin Stocker, le ta pyesë Donald Tusk-un. Krejt që janë në EPP le t’i pyesë kryetari Abdixhiku edhe le t’ju thotë ‘a duhet ta pranoj këtë ofertë të Lëvizjes Vetëvendosje?’. Le t’i pyesë miqtë e vet evropianë, mos le të më pyesë mua”, tha ai.
Po ashtu, ai u shpreh se edhe Bedri Hamza duhet të kërkojë mendim nga partnerët e tij ndërkombëtarë.
“Ose, kryetari i PDK-së Bedri Hamza, le ta pyesë kryetari i PDK-së Bedri Hamza, Renew Europe. Se është familja evropiane ku merr pjesë PDK-ja. Le t’i pyesë ata edhe le t’ju thotë ‘a duhet ta pranoj pozitën e kryetarit të Kuvendit?’. Do t’i thonë po, se është një e treta e maxhorancës”, tha ai.
Kurti theksoi se ka bërë oferta konkrete për tejkalimin e bllokadës politike.
“A e dini për shembull që unë i kam thënë kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, ‘eja lirisht në vend të Glaukut edhe ecim përpara’. A Glauku ka gati katërfish më shumë vota se Lumir Abdixhiku. Pra proporcionet janë drastike. Oferta jonë është shumë gjeneroze. Ama, nuk janë të interesuar që të zhbllokojnë. Po sillen thuase është viti 2025, kur e mbani mend me atë seancën nuk votoi Albulena Haxhiu. Ka kalu viti 2025, është viti 2026”, tha ai.
Ai shtoi se, sipas tij, opozita ka refuzuar ofertat për bashkëpunim.
“Së është e mundur që i refuzuan. Jo, neve na e ka thënë paraprakisht që ne nuk mund të bashkëqeverisim sepse ju nuk mund t’i keni të tri pozitat. Epo, nëse s’mund t’i kemi tri pozitat, ja po i kemi vetëm dy. Plus që presidenti kur zgjidhet s’mund të jetë anëtar i partisë. Pra, nëse do ta kishin kryetarin e Kuvendit, nuk do t’i kishim tri pozitat. Edhe, mos harroni, me datën 3 shkurt të vitit 2020 kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ia ka liruar vendin Vjosa Osmanit. E kemi bërë edhe më herët këtë rokadë”, tha ai.
Kurti theksoi se duhet të respektohet vullneti i qytetarëve dhe rezultati zgjedhor.
“Lëvizja Vetëvendosje tashmë e ka bërë rrokadën në shkurtin e vitit 2020 me LDK-në duke ia dhënë pozitën e kryetarit. Ama veç pak. Çka të bëjmë me rezultatin zgjedhor që na i kanë dhënë 50.1%? Jo çka po kupton, asht me i dhanë dikujt, ata nuk i kanë votat asnjë mjet nënshkrimet me i kandidati. 22 deputetë të PDK-së nuk mjaftojnë për me apliku. Veç pak, a keni apliku për punë ndonjëherë? Për me dal në kur si ki dokumentat. E po thua hijnë në punë, po ti s’i ki dokumentat as me apliku. Po veç një moment, mi ja dhënë atij po thu. Qysh ja ka dhënë populli a vlla? Po qysh mi ja dhënë kur s’ja ka dhënë populli? A kupton? Demokracia nënkupton vullnetin e popullit. Në epiqendër. Jo pazarin. Unë jam super gjeneroz. Duhet t’i pyesni ata qysh është e mundshme që me këta numra të ulët që i kanë i bëjnë këto refuzime gjeneroze. Aty e keni problemin”, tha ai.



