Të hënën ka hyrë në fuqi zbatimi i Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
Ndërsa, me hyrjen në fuqi të tij ka nisur edhe hapi i parë i zbatimit të këtij ligji, e që është themelimi i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Ish-anëtari i Komisionit për Shëndetësi, tani kandidat për deputet nga radhët e PDK-së, Artan Behrami ka thënë për Ekonomia Online, se si parti e kanë mbështetur këtë ligj, por nuk beson që i njëjti do të implementohet.
“Po si parti ne e kemi mbështetur këtë ligj në Kuvendin e Republikës së Kosovës, megjithatë, ne nuk i besojmë Albin Kurtit, sepse zoti Kurti çdo ligj që është krijuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, çdo iniciativë që është krijuar në Kuvendin e Kosovës, madje edhe çdo vendim që ka marrë në qeveri, ai kurrë nuk i ka implementu, kështu që as sigurimet shëndetësore Albin Kurti nuk do t’i implementojë në praktikë, njëjtë çysh nuk i ka kry autostradat, njëjtë çysh nuk e ka kry infrastrukturën, njëjtë çysh nuk i ka kry edhe 100 punë tjera të shtetit të Kosovës. Prandaj, ne nuk i besojmë këtyre, këto janë vendime të sekondave të fundit, këto janë vendime të minutave të fundit për të blerë edhe ndonjë votë të mbetur, tezgat e pazaret e votave ai tashmë i ka hapur, mirëpo qytetarët e Republikës së Kosovës janë duke bojkotuar këto tezga, sepse ata kanë dinjitet, ata nuk shiten, ata nuk blihen dhe ata kërkojnë ndryshim dhe kërkojnë që të dalim nga kjo krizë që na ka fut zoti Kurti”, u shpreh ai.
Sipas tij, ky ligj do të implementohet në praktikë vetëm nga PDK-ja, dhe kandidati i saj për kryeministër Bedri Hamza.
“Patjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka investuar shumë në këtë ligj, ka punuar shumë në këtë ligj, ka bërë shumë amandamentime të këtij ligji, ka pasur vizionin sesi duhet të implementohet ky ligj edhe është premtim elektoral i Bedri Hamzës që ky ligj do të implementohet pikë për pikë në praktikë në Republikën e Kosovës, por këtë mund ta bëjë vetëm Bedri Hamza dhe PDK-ja dhe këtë nuk mund ta bëjë kurrë Albin Kurti, ashtu siç nuk e ka bërë as me autostrada, as me projekte të tjera”, tha ai.
Behrami, ka folur edhe gjendjen e shëndetësisë në vend, duke thënë se shëndetësia është në krizë të thellë.
“Po, shëndetësia për tash e gjashtë vite është në një krizë të thellë të cilën e ka fut zoti Kurti, nuk kemi barna në shumicën e ambulantave, nuk kemi barna në qendrën kryesore spitalore, në shumicën e qyteteve të Kosovës, kemi probleme shumë të mëdha me gjëra elementare, kemi shumë pacientë të cilët nuk trajtohen në Kosovë dhe ikun nga Kosova për tu trajtuar jashtë, kemi pasiguri shumë të madhe të pacientëve në Kosovë. Prandaj, është shumë me rëndësi që ky ligj të jetësohet dhe të implementohet, por kjo mund të bëhet vetëm me PDK-në, vetëm më kryeministrin Bedri Hamza”, ka shtuar ai.



