HomeKomunaRregullorja e re për shërbimin civil po sjell dështimin e konkurseve, komunat...

Rregullorja e re për shërbimin civil po sjell dështimin e konkurseve, komunat e kundërshtojnë

Rregullorja e re për pranimin në shërbimin civil po krijon vështirësi të konsiderueshme në rekrutimin e zyrtarëve të rinj në institucionet publike, shkruan Gazeta Inzoom.

Një numër i madh i konkurseve të shpallura nga institucionet qendrore dhe lokale kanë përfunduar pa u përzgjedhur asnjë kandidat.

Në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ) janë publikuar një numër i madh njoftimesh për procedura të rekrutimit të përfunduara pa sukses. Në shumë raste, institucionet kanë bërë të ditur se konkurset kanë dështuar pasi kandidatët nuk kanë arritur pragun minimal të pikëve në testin me shkrim, duke i detyruar institucionet që t’i rishpallin procedurat e rekrutimit. Portali i SIMBNJ-së përmban dhjetëra njoftime për konkurse të dështuara në institucione të ndryshme qendrore dhe lokale, çka tregon se zbatimi i rregullores së re po shoqërohet me vështirësi në plotësimin e vendeve të lira të punës.

Sipas rregullores së re, në procedurat për pozitat e kategorisë së lartë drejtuese, testimin me shkrim e kalojnë vetëm kandidatët që marrin të paktën 50 për qind të pikëve. Ndërkaq, për të gjitha kategoritë e tjera të shërbimit civil, kandidati duhet të sigurojë së paku 70 për qind të pikëve për të vazhduar në fazat e mëtejshme të konkursit.

Një nga ndryshimet kryesore të rregullores lidhet me mënyrën e hartimit të testit me shkrim. Ndryshe nga rregullorja e mëparshme, ku institucioni që zhvillonte procedurën e rekrutimit përgatiste edhe pyetjet e testit, tashmë kjo kompetencë i është kaluar Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP).

Sipas rregullores, Komisioni i Pranimit është i obliguar që, në ditën e zhvillimit të testimit, të përzgjedhë në mënyrë elektronike pyetjet nga banka e pyetjeve që administrohet nga DMZP. Testi zhvillohet me pyetje të modelit “zgjedhje e shumëfishtë”, me një përgjigje të saktë.

Banka e pyetjeve zhvillohet dhe përditësohet nga DMZP dhe përmban pyetje që vlerësojnë aftësitë analitike, verbale, numerike dhe abstrakte të kandidatëve, si dhe aspekte të tjera të aftësive kognitive. Për pozitat drejtuese, ajo përfshin edhe pyetje që lidhen me menaxhimin e stafit, ndarjen e detyrave, udhëheqjen dhe vendimmarrjen.

Rregullorja i jep gjithashtu të drejtë DMZP-së të përditësojë ose të ndryshojë llojet e pyetjeve, si dhe strukturën e testeve, duke përfshirë numrin e pyetjeve dhe nivelin e vështirësisë, sa herë që vlerësohet e nevojshme.

Ndryshimet janë kundërshtuar nga komunat. Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së rregullores.

Sipas AKK-së, rregullorja rrit kontrollin e nivelit qendror mbi administratën komunale, kufizon autonominë e komunave në menaxhimin e personelit, ndërhyn në kompetencat vetanake të pushtetit lokal dhe bie ndesh me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.

Pavarësisht kundërshtimeve, rregullorja vazhdon të zbatohet, ndërsa institucionet po përballen me vështirësi në plotësimin e vendeve të lira të punës. Dështimi i një numri të madh të procedurave të rekrutimit po shton nevojën për rishpalljen e konkurseve, duke zgjatur procesin e punësimit dhe duke lënë për periudha më të gjata të paplotësuara pozitat në administratën publike. Gjykata Kushtetuese ende nuk ka publikuar ndonjë vendim lidhur me këtë çështje./Gazeta Inzoom

spot_img

Të fundit