HomeKomunaAlban Rraci i del në krah Abdigjikut: “Të kërkosh dorëheqjen e kryetarit...

Alban Rraci i del në krah Abdigjikut: “Të kërkosh dorëheqjen e kryetarit të LDK‑së “prej së largu” nuk është as etike”

Kryetari i degës së LDK-së në Klinë, Alban Rraci, ka dalur publikisht kundër kërkesave të Gazmend Muhaxherit dhe Imri Ahmetit për dorëheqjen e Lumir Abdigjikut nga kryetari i LDK-së.

Në një postim në facebook Rraci ka thënë se të kërkosh dorëheqjen e kryetarit të LDK‑së “prej së largu” nuk është as etike, as proceduralisht e pranueshme, dhe aq më pak në shërbim të fuqizimit të LDK‑së.

“Të kërkosh dorëheqjen e kryetarit të LDK‑së “prej së largu” nuk është as etike, as proceduralisht e pranueshme, dhe aq më pak në shërbim të fuqizimit të LDK‑së.

Prej së largu – në studio të debateve televizive, në postime në rrjetet sociale – thirrje të tilla mund t’i bëjnë analistë politikë, qytetarë apo simpatizantë të LDK‑së, të cilët nuk janë të kyçur drejtpërdrejt në strukturat partiake. Por që thirrje të tilla të vijnë nga udhëheqës të dy degëve të fuqishme të LDK‑së (Pejë, Lipjan) nuk ka qenë e pritshme, aq më pak kur nuk ka shumë kohë që një kërkesë të tillë kanë mundur ta parashtrojnë në forumet partiake (Kuvend, Kryesi), pra sy më sy.

Këtë thirrje e bën edhe më të dobët fakti se vjen nga dy degë ku rezultati i zgjedhjeve në favor të LDK‑së është në disproporcion të madh krahasuar me fuqinë e tyre politike në komunat përkatëse.

Për më tepër, kjo thirrje vjen në një kohë kur qytetarët e Kosovës presin nga klasa politike krijimin e institucioneve shtetërore. Çdo goditje e tillë ndaj lidershipit aktual të LDK‑së e dobëson pozicionin e partisë në negociatat e mundshme për krijimin e institucioneve, apo edhe në pozicionimin e saj si një opozitë e fortë.

Për momentin, LDK ka kryetar, ka kryesi; na duhet të ulemi dhe këto çështje t’i diskutojmë brenda shtëpisë”, ka shkruar Rraci.

Sot, anëtarë të kryesisë së LDK-së dhe degë të saj nëpër komuna kanë pasur deklarata publike lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të fundit nacionale. Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe ai i Lipjanit, Imri Ahmeti, kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit aktual të LDK-së Lumir Abdigjiku.

Në anën tjetër, vet Abdigjiku ka deklaruar se janë Gazemnd Muhaxheri dhe Imri Ahmeti të cilët duhet të japin dorëheqje për shkak të rezultatit jo të mirë të LDK-së në Pejë dhe Lipjan./Gazeta Inzoom

spot_img

Të fundit