Në pritje të verdiktit të Gjykatës së Hagës, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është i bindur në pafajësi.
Ai është shprehur besimplotë se do të kthehet i lirë në Kosovë.
“Plotësisht. Historia e lirisë së Kosovës prej fillim-viteve 1980-të e deri sot është thelbi i këtij procesi. Unë jam vetëm instrument në këtë eksperiment juridik. Nxjerrja e aktgjykimit është në duart e gjykatësve, por unë kam besim që, pas dëgjimit te dëshmitarëve të prokurorisë, e në veçanti atyre të mbrojtjes, të profilit dhe kredibilitetit më të lartë ndërkombëtar, ata do ta nxjerrin vendim të drejtë dhe meritor”, tha Thaçi në intervistën për “Opinion”.
Procesin që zgjat prej disa vitesh e cilësoi të bazuar mbi mashtrime.
“Në izolim po kaloj vitin e gjashtë pa vendim gjyqësor. Siç theksoi së fundi ekspert politik amerikan Daniel Serwer: “ky proces ka devijuar nga misioni duhet të ofrohet drejtësi, e jo hakmarrje e bazuar në mashtrim.” Nga ana ime nuk kam çka t’i shtoi këtij konstatimi”.
Gishtin për faktet dhe provat e paqena me të cilat thotë se është mbushur dosja e tij e drejton nga Serbia dhe Rusia.
“Për të keq, të ndyra dhe të rrejshme janë mbushur me dosje edhe arkivat në Beograd, Moskë e gjetiu nëpër hapësirat tona. Rezistenca i përket historisë, sot e jetojmë realitetin e krijuar prej saj. E ka fillimin dhe mbarimin e qartë si kristali, e ka kohën, rrethanat dhe personazhet e veta”.
Ai foli me krenari për luftën e UÇK-së, por edhe rolin e tij që ka luajtur gjatë rezistencës për lirinë e Kosovës.
“Rezistenca kosovare është pika më e lartë e identitetit kombëtar dhe shtetëror. Rezistenca ndali rrjedhën e mëtutjeshme të robërisë. Legjitimiteti I saj buron nga vullneti dhe qëllimi i drejt qytetareve për liri. Të pretendosh për të bërë paralele mes rezistencës për liri dhe frymës së nënshtrimit është sikur të barazosh dritën me errësirën”.
Ndër të tjera, ish-presidenti foli edhe për një ftohje të marrëdhënieve të Prishtinës zyrtare me Tiranën.
“Do duhej të jenë më të bashkuar, bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë, rikthimin e raporteve speciale me SHBA-të, bashkëpunim më serioz me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.”
Ai u shpreh i bindur gjithashtu se pa heqjen e plotë të sanksioneve nga SHBA-të dhe BE-ja për Kosovën, nuk mund të ecet përpara në planin e brendshëm e as atë jashtëm, ndërsa shpreh kritika edhe për marrëveshjen e Ohrit.
“Dialogu Kosovë-Serbi; kështu siç duken gjërat në dy kryegendrat, bllokada mund të vazhdojë. Është befasi si me aneksin e Ohrit, Serbia arriti të sigurojë “AUTONOMINË POLITIKE DHE TERRITORIALE”. Kjo defunksionalizon shtetin e Kosovës, integrimi e jo autonomia është çelësi i ecjes përpara edhe për serbët e Kosovës”./Tv Klan


