Komuna e Klinës ka përfunduar ciklin e dëgjimeve publike buxhetore për Projekt-Buxhetin e vitit 2027, duke zhvilluar gjithsej njëmbëdhjete dëgjime me qytetarë në qendër dhe në lokalitete të ndryshme të komunës.
Dëgjimi i njëmbëdhjetë dhe i fundit buxhetor u mbajt në sallën e Kuvendit të Komunës së Klinës, ku qytetarët patën mundësinë të paraqesin kërkesat, propozimet dhe rekomandimet e tyre lidhur me prioritetet buxhetore dhe investimet që konsiderojnë të nevojshme për komunitetin.
Kryetari i Komunës, Zenun Elezaj, gjatë këtyre takimeve theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e planifikimit dhe përcaktimit të prioriteteve buxhetore.
“Ky proces na mundëson të dëgjojmë dhe të kuptojmë nevojat e qytetarëve. Ndarja e buxhetit nuk është vetëm një detyrë financiare dhe ligjore, por edhe një angazhim për zhvillim të qëndrueshëm, ku prioritetizohen investimet në arsim, infrastrukturë dhe shërbime publike. Falë pjesëmarrjes suaj, ne mund të marrim vendime të informuara që reflektojnë interesat dhe nevojat e qytetarëve”, ka thënë kryetari Elezaj.
Gjatë dëgjimeve, qytetarët paraqitën kërkesa dhe propozime të ndryshme, me theks të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës publike. Ndër kërkesat kryesore u evidentuan asfaltimi i rrugëve të mbetura, rehabilitimi dhe mirëmbajtja e rrugëve ekzistuese, zgjerimi i ndriçimit publik, si dhe nevoja të tjera që lidhen me përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të jetesës.
Grupi punues për hartimin e Projekt-Buxhetit të Komunës së Klinës për vitin 2027 do të shqyrtojë të gjitha kërkesat, propozimet dhe rekomandimet e pranuara gjatë procesit të dëgjimeve publike, duke i vlerësuar ato në përputhje me prioritetet zhvillimore dhe mundësitë buxhetore të komunës.
Projekt-Buxheti i Komunës së Klinës për vitin 2027, së bashku me raportin për dëgjimet publike buxhetore, do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Kuvendit të Komunës, në përputhje me procedurat dhe afatet ligjore.
“Komuna e Klinës mbetet e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe përfshirjes së qytetarëve në proceset e vendimmarrjes, me qëllim që planifikimi buxhetor të reflektojë sa më mirë nevojat dhe prioritetet e komunitetit”, thuhet në njoftimin e komunës.




