Komuna e Klinës ka hapur procedurat e prokurimit për ndërtimin dhe asfaltimin e disa segmenteve rrugore në Dresnik dhe Dollc, në një projekt që kap vlerën totale prej 450 mijë eurosh, shkruan Gazeta Inzoom.
Komuna ka hapur tenderin për realizimin e projektit “Ndërtimi i segmenteve të rrugëve me infrastrukturë nëntokësore në rrugët Qyteti Antik, Dardania, Malë Bashota dhe Martirët e Dollcit në Dresnik-Dollc”.
Projekti, i cili është planifikuar të realizohet në një periudhë dyvjeçare, parasheh ndërhyrje në disa segmente rrugore, përfshirë edhe infrastrukturën nëntokësore.
Vlera e përgjithshme e projektit është 450 mijë euro. Prej tyre, 360 mijë euro do të financohen nga buxheti i Komunës së Klinës, ndërsa 90 mijë euro janë siguruar përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), nga Granti i Përfomancës.
Realizimi i këtij projekti pritet të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe kushteve të qarkullimit për banorët e Dresnikut dhe Dollcit, duke përfshirë edhe përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore në zonat ku do të zhvillohen punimet./Gazeta Inzoom


